Kryemadhi: BE duhet të na pranojë për vlerat e familjes

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka theksuar se kombi shqiptar mbështetet tek familja e fortë dhe te vlerat e e pamohueshme atdhetare.
Gjatë fjalës së saj në Festivalin e Paqes dhe të Familjes, Kryemadhi u shpreh se qeverisja e sotme ka bërë që familjet shqiptare të jetojnë në një varfëri thuajse ekstreme.
Ndër të tjera kryetarja e LSI-së është shprehur se rinia po ikën dhe është për të ardhur keq që shtylla kryesore e kombit largohet nga vendi.
“Ky është një aktivitet që lartëson idealin e familjes dhe rithekson dedikimin tonë, si prindër në radhë të parë, si burra dhe gra, të cilët jemi të përkushtuar për një familje të bashkuar, për të dhënë dashuri, edukim, dinjitet, besim, kulturë për fëmijët shqiptarë. Për të patur një komb të fortë, i cili në themelin e tij ka familjen, dashurinë për Atdheun dhe Besimin në Zot. Është familja tradicionale shqiptare, ajo që na ka dhënë forcë si popull për t’u përballur me sfidat e mëdha ndër shekuj, që nga rezistenca ndaj asimilimit, nën perandoritë e Romës, Bizantit dhe asaj Osmane ku me dhjetëra kombe janë shuar dhe deri tek krenaria e sotme e të qenit shqiptar. Është familja shqiptare, vatra e saj, megjithëse e varfër, pore mbushur plot me dashuri, ngrohtësi dhe respekt, e cila ka ruajtur gjuhën, zakonet, vlerat dhe virtytet tona, që na bëjnë kaq të veçantë si një komb nga më të vjetrit. Pa këtë dashuri të mbrujtur nga prindërit shqiptarë nuk do të kishim kaq shumë kujdes nga fëmijët e tyre, të cilët varfëria i ka çuar në emigracion, megjithëse larg familjes, në punë të vështira, sakrifikojnë për të mbajtur dhe për t’u përkujdesur për prindërit e tyre. Janë me mijëra shembuj të tillë dhe kjo është një tjetër veti që na bën shumë ndryshe nga të tjerët. Edhe pse pak ditë më parë BE na dha një përgjigje të dëshpëruar, ne të vetmen vlerë, të cilën nuk e tjetërsojmë dot është familja ku bazën tonë të shoqërisë kemi familjen. Një familje e fortë, prodhon një shoqëri të fortë. Sot pjesa dërrmuese e pensionistëve shqiptarë nuk do të kishin mundësi të kalonin një javë, jo më muajin me pensionet qesharake që marrin sot. Me ato të ardhura, ata nuk do mundnin të paguanin ilaçet, faturat e dritave edhe të ujit. Por është familja, fëmijët, që janë krah tyre dhe ky akt sublim është i çdo fëmije, që është i edukuar me dashurinë për prindërit, për familjen. Në këtë atmosferë desha të ndalesha pak edhe tek disa probleme që e shqetësojnë sot familjen shqiptare. Sot të rinjtë shqiptarë po kërkojnë të largohen nga vendi, sepse politika ende nuk po i jep shpresë. Sot kemi me mijëra fëmijë shqiptarë, që prindërit e tyre, të detyruar nga varfëria, papunësia, pamundësia ekonomike detyrohen të “braktisin” fëmijët në rrugët e qyteteve evropiane, me shpresën që të gjejnë një strehë dhe shkollim nga ligji evropian për përkujdesjen e minorenëve të braktisur. Zoti i ruajt këta fëmijë dhe i faltë prindërit e tyre, vetëm ata e dinë sesa vuajnë në zemër. Vetëm në Itali janë braktisur mbi 1550 fëmijë, sipas UNICEF Italia për vitin 2018. Qindra të tjerë janë në Francë apo Britani. Kjo është një këmbanë alarmi për të gjithë ne. Për ata që duan të dëgjojnë dhe për ata që nuk duan të dëgjojnë.”



