Kryebashkiaku Erion Veliaj priti kryetarin e Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu, dhe një delegacion nga bashki të ndryshme të Turqisë.
Në fjalën e tij, Veliaj u shpreh se Tirana po përmbyll një vit të suksesshëm me Presidencën e B-40, duke zgjeruar rrjetin e bashkive pjesëmarrëse.
“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme sot që miku im, vëllai im, Ekrem Imamoğlu, është këtu, së bashku me një delegacion të kryetarëve të bashkive nga Turqia. Ne po përmbyllim një vit shumë të suksesshëm me B-40. Ka qenë një nismë e z. Ekrem për t’u njohur mes nesh, për të punuar dhe bashkëpunuar mes nesh”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu, u shpreh i kënaqur me suksesin e Tiranës dhe vlerësoi punën e kryebashkiakut Veliaj për ta transformuar kryeqytetin.
“Jam i lumtur kur shoh suksesin e qytetit të Tiranës nën drejtimin e mikut tim të dashur, Erionit, i cili ka ndërmarrë disa hapa konkrete dhe shumë të rëndësishme drejt arritjes së këtij qëllimi, dhe është një shembull i suksesshëm kur vjen puna për krijimin e qyteteve të jetueshme në Europë dhe e gjithë Europa po i ndjek hapat e tij të suksesshme”, tha İmamoğlu.
Rrjeti i bashkive të rajonit u krijua në nëntor të vitit 2021, në një kohë kur i gjithë globi përballej me pandeminë Covid-19, si urë bashkëpunimi mes qyteteve./vizionplus.tv





