Një tjetër vatër zjarri është shfaqur në masivin pyjor të Krujës, konkretisht në zonën e njohur si Gryka e Zidollit, vetëm pak kohë pas situatës së vështirë të krijuar nga zjarret në malin e Krujës.
Për shkak të terrenit të thepisur dhe mungesës së rrugëve për të mbërritur në zonën ku ka rënë zjarri, forcat zjarrfikëse nuk kanë mundësi të ndërhyjnë nga toka. Për këtë arsye, kërkohet ndërhyrja nga ajri për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Aktualisht, vatra e zjarrit ndodhet larg zonave të banuara dhe nuk paraqet rrezik për banesat. Megjithatë, situata po monitorohet nga strukturat përkatëse, për të parandaluar përhapjen e flakëve.
Zjarri i përmasave të mëdha që përfshiu malin e Krujës një ditë më parë mbajti për orë të tëra në panik banorët, ndërsa flakët iu afruan banesave dhe detyruan dhjetëra persona të largoheshin nga shtëpitë.
Disa prej banorëve u detyruan të kalonin natën në rrugë, ndërsa treguan momentet e frikës për jetën e tyre dhe pasigurisë për fatin e banesave dhe pasurisë së tyre.
/vizionplus.tv





