Për rreth dy orë opozita protestoi në bulevardin kryesor, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Mbështetësit e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj ju bashkuan thirrjes për të tubuar kundër qeverisë.

 

Ndryshe nga herët e tjera, Sali Berisha u shoqërua nga selia blu nën masa të forta sigurie për të shmangur përsëritjen e dhunës në tubimin e fundit, ku u godit me grusht.

 

Të përzgjedhurit për t’iu drejtuar shqiptarëve morën fjalën njëri pas tjetrit.  Ilir Meta dhe Sali Berisha e vunë theksin tek korrupsioni, që sipas tyre ka përfshirë vendin.

 

Kjo protestë pati si pikënisjen të zhvillimet e ditëve të fundit, siç ishte çështja e ish-agjentit të FBI, Mcgonigal. Kreu i PD tha se Rama korruptoi një sërë ambasadoresh dhe zyrtarësh të huaj me qëllimin e vetëm për të eliminuar opozitën.

 

Berisha u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Parlamenti Europian që të hetojnë çështjen e Mcgoingel, pasi sipas tij skandalet do të dalin zinxhir.

 

Lideri i Partisë Demokratike  tha se revolucioni sapo ka nisur, ndërsa ftoi qytetarët të vijojnë rezistencën përpara parlamentit.

 

“Dita e hënë është ditë parlamenti. Revolucioni na fton, të gjithë para parlamentit. Populli i protestës, populli i fitores, të gjithë të bashkohemi të kalojmë nga beteja në betejë deri në fitoren tonë përfundimtare. Edi Rama, harroje se mund të përjashtosh këtë popull nga vota dhe zgjedhjet. Jo Surreli, po as Biza dhe Martaneshi nuk i pengon këta që të të gjejnë deri në vrimën e miut dhe të japin atë që meriton- tha Berisha.

 

Pas fjalës së Berishës nuk mungoi hedhja e tymueseve dhe fishekzjarrëve drejt godinës së kryeministrisë. Por fatmirësisht nuk u lëndua askush nga efektivet që ishin në mbrojtje të selisë së qeverisë.

 

 

Pasi u largua nga bulevardi, lideri demokrat dhe një pjesë e mbështetësve u zhvendosen përpara ministrisë së Brendshme për të kërkuar dorëheqjen e Bledi Çuçit dhe më pas tek bashkia e Tiranës për të denoncuar vjedhjen me  inceneratoret.

 

Ndalesën e fundit Berisha e bëri tek selia e Partisë Socialiste, për t’ju treguar simpatizantëve të saj se ata që janë në krye janë të korruptuar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *