Vetëm një ditë na ndan nga dita e verës, por atmosfera festive nuk ndihet nga qytetarët në Elbasan.
Organizimet dhe përgatitjet kanë nisur prej rreth 3 ditësh, megjithatë duket se efektet e rritjes së çmimeve po ndihen edhe në ëmbëlsirën tradicionale të 14 marsit, ballokumen.
Siparin e festimeve e ka hapur festivali i Këngës Popullore Qytetare, më pas “Mis dita e verës” , Koncerti i Orkestrës të Harqëve , Sofra elbasanase, i ndjekur nga hapja e panairit industrial dhe zejtarisë.
Ndërkohë e hëna do të nisë me aktivitete të fëmijëve që do të parakalojnë me karnavalet dhe më tej qytetarët do të kenë mundësinë të shijojnë muzikën e grupit të mirënjohur Elita 5.
Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledi Llatja, shprehet se këtë vit bashkia e Elbasanit ka sjellë risi në festimin e ditës së verës.
GLEDI LLATJA
KRYETAR I BASHKISE ELBASAN
“Elbasani po bëhet gati, ne e kemi zbukuruar atë, lokalet po bëhen gati për ditën e verës, këngëtarët do të vijnë nëpër lokalet e ditës së verës jo vetëm natën e ditës së verës me 13. Do ketë një atmosferë shumë festive, Elbasani kthehet në kryeqytetin e Shqipërisë dhe të Ballkanit dhe ne po përgatitemi për këtë gjë. Do të kemi një surprizë që do jetë edhe Kastriot Tusha, një nga figurat e dashura të qytetit të Elbasanit.”
Në vitet e kaluara tregtimi i ballokumes niste dy javë para festës, ndërsa këtë vit, ka gjithnjë e më pak në rrugë, sheshe e njësi tregtare.
QYTETARË
1- “Kriza, lufta, çmimet rriten e pensionet ulen.
2- I kemi parë, ballokume bëjmë vit për vit, i bëj vetë në shtëpi.
3-Dikush më shumë dikush më pak, por kriza i prek të gjithë.
4-Ne vazhdimisht i bëjmë ballokumet po tani pak si me përtesë, ka ballokume kudo tani se atëherë bënim ballokume dhe i shkëmbenim me njëri tjetrin.”
Të gjitha lokalet dhe hotelet e qytetit janë prenotuar për 13 dhe 14 mars, ndaj dhe pritet që Dita e Verës në Elbasan të festohet pavarësisht krizës së krijuar nga rritja e çmimeve në vend.