Subscribe

Ambasadori i Holandës në Shqipëri Reinout Vos i bëri apel mazhorancës dhe opozitës që të ndryshojnë sjelljen politike e të kthejnë diskutimet normale në parlament. Pas një takimi që zhvilloi me studentë në qytetin e Korçës, diplomati holandez theksoi se të dyja partitë e mëdha duhet të kontribuojnë në jetën parlamentare.

“Parlamenti është demokraci, demokracia është zemra e një kombi dhe duhet të kemi një debat konstruktiv në parlament. Është e trishtë që Shqipëria muajt e fundit nuk ka patur një jetë të shëndetshme parlamentare. I kërkoj të gjitha partive, veçanërisht dy partive te mëdha të bëjnë maksimumin e tyre,ne mënyrë qe  të kemi një parlament siç duhet të jetë”, tha Vos.

Ndërkaq në lidhje me procesin e integrimit, ambasadori i Holandës shprehu besimin se së shpejti Këshilli Europian do të hap negociatat për kapitujt themelorë

“Siç e dini Shqipëria është në rrugën e saj drejt BE, kështu që zyrtarisht negociatat kanë nisur. Që raundi tjetër i negociatave të nisë duhet të ketë një vendim nga Këshilli në Bruksel por jam konfident që të vijë shpejt. Nuk shoh arsye pse ky vendim duhet të zgjatet, është një proces në vijim dhe besoj se vendimi do të merret shpejt”, u shpreh ambasadori.

Gjate muajve të fundit ambasadorët kryesorë në vend kanë përsëritur apelin për rikthimin e normalitetit në parlament, por deri më tani duket se qoftë Partia Socialiste qoftë opozita nuk kanë në plan të ndryshojnë aksionin e tyre politik. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *