Ministrat e Financave të 19 vendeve të eurozonës kanë rënë dakord që Greqia t’i japë fund programit tetëvjeçar të shpëtimit dhe të përfitojë lehtësim të borxheve. Falë kësaj marrëveshjeje, Greqia shtyn afatet e ripagimit të borxhit me 10 vite. Kjo do te thotë se vendi e ka kaluar tashme krizën.

 

 “Kriza greke përfundon këtu. Më në fund do t’i japim fund kësaj rruge, e cila ka qenë e gjatë dhe e vështirë. Ky është moment historik për Greqinë dhe eurozonën. Tani nevojitet marrja e masave të besueshme për borxhin grek. Ka një atmosferë pozitive në të dyja anët lidhur me marrëveshjen dhe jam i bindur se do ta menaxhojmë atë.”

 

Kryeministri Alexis Tsipras tha se marrëveshja pasqyron detyrimin moral të partnerëve të Greqisë në përgjigje të sakrificave të popullit grek. Ndërsa Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker në një postim në twitter u shpreh se tani fillon një kapitull i ri për Greqinë dhe hapet rruga për përfundimin e suksesshëm të programit.

 

Pas 3 programesh kredish prej 273.7 miliardë eurosh, një referendumi, humbjes se 40% të të ardhurave,  si dhe të 1 milion vendeve të punës, Eurogrupi mbyll kështu një nga kapitujt më të zinj të historisë moderne të Greqisë.

 

Athina ka siguruar përveç shtyrjes së afatit të shlyerjes së borxheve, edhe një shumë prej 15 miliardë eurosh, si një fond sigurie për 22 muajt e ardhshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *