Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me Drejtorin e Teatrit Kombëtar, Altin Basha, pritën në kantierin e Teatrit të Ri një grup kritikësh, drejtorë teatrosh dhe gazetarësh nga Europa.
Veliaj u shpreh se Teatri i Ri do të ofrojë një standard europian për mirëpritjen e artistëve dhe publikut, duke kontribuar gjithashtu në ekonominë e qytetit.
“Është një kënaqësi e veçantë që pritëm një grup njerëzish që merren me teatër, që prodhojnë art dhe kulturë, nga dhjetra teatrot e Europës, të cilët panë se si edhe në Tiranë arti dhe kultura prodhojnë ekonomi, njësoj siç ne shohim që kjo ndodh në Itali ose në Greqi. Ne duam të provojmë se edhe në Tiranë, të qenit Kryeqyteti Europian i Rinisë, pastaj Qyteti Europian i Sportit, por sidomos vitin tjetër kur Tirana do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, prodhon ekonomi për vendin”, tha Veliaj.
Ai theksoi se ky projekt i madh bashkon energjitë krijuese të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Unë jam i privilegjuar që Bashkia e Tiranës ka mbështetur këtë super paraqitje të këtij bashkimi, të kësaj energjie të jashtëzakonshme kreative, të teatrove të Shqipërisë edhe të Kosovës. Më vjen mirë që kjo kornizë, kjo tablo, ka qenë sot përballë gjithë përfaqësuesve të teatrove europiane. Ka qenë edhe një mundësi e jashtëzakonshme për të treguar se ‘Po’, në këtë qytet ka debat, por në këtë qytet merren edhe vendime për të ecur përpara”, u shpreh ai.
Veliaj bëri të ditur se puna për ndërtimin e Teatrit të Ri po përparon me ritme të shpejta dhe se pritet që deri në fund të vitit 2025 të përfundojë karabinaja e godinës. /vizionplus.tv