Kryeministri Edi Rama u ktheu një përgjigje të gjithë atyre që ditët e fundit kanë kritikuar paketën “Anti-KÇK”. Në “Twitter”, kryeministri, duke publikuar një mesazh të një qytetari, tha se ka një absurditet në këtë qëndrim të opozitës, por jo vetëm. Sipas tij, prej shumë kohësh qeveria akuzohet për lidhje me krimin, por edhe tani që po e lufton sërish sulmohet.
““A janë njerëz këta a ça janë?”, më shkruan një qytetar i tronditur nga komentet e studiove televizive kundër paketës antiKÇK! Eh, kanë kaq kohë që shajnë, akuzojnë, shpifin për lidhjet e qeverisë me krimin dhe mblidhen në sallonet tv sa herë ndodh një vrasje, duke sulmuar qeverinë. Sot që qeveria është angazhuar në ofensivën më shembullore kundër krimit në historinë e vendit, mblidhen në sallonet tv për të mbrojtur krimin nga qeveria që po shkel të drejtat e atyre, të cilët deri dje pa pikën e turpit, i lidhnin me mua, me PS e me çdo fitore elektorale të PS.”
Shefi i qeverisë deklaroi se pozicioni i tyre për kriminelët ndryshoi në mënyrë të beftë, ndërsa me tallje tha se po lënë nam me këto deklarata.
“Njerëz janë njerëz, po janë armiqësuar me të vërtetën, me faktet e me vetë profesionin e tyre për inat të qeverisë! Dhe janë kaq qorrazi kundër qeverisë, sa tani janë kthyer befas në avokatë gjynahqarë të krimit, që po lënë kokrrën e namit me dokrrat e dembelizmit të tyre mendor.”
E gjithë opozita është hedhur në sulm kundër paketës “Anti-KÇK”. Sipas saj, ky akt normativ është antikushtetues dhe për më tepër, hedh poshtë reformën në drejtësi. Po ashtu, për opozitën, Rama e miratoi ligjin special jo për të goditur kriminelët, por për të mbrojtur veten nga SPAK.





