Rastet e dhunës mbi fëmijët dhe abuzimet seksuale ndaj tyre janë shtuar.

 

Pedagogia Iris Luarasi, njëherësh aktiviste e njohur në mbrojtje të grave dhe fëmijëve të dhunuar vlerëson që njerëzit kanë filluar të ndërgjegjësohen dhe të denoncojnë abuzimet. Megjithatë, sipas saj, dhuna seksuale vijon të mbetet ende një nga format më pak të raportuara.

 

Në një lidhje direkte me edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, Luarasi u pyet nga gazetarja Pranvera Borakaj nëse e sheh si zgjidhje dënimin me vdekje të personave që vrasin dhe abuzojnë seksualisht me fëmijët, duke iu referuar krimit monstruoz të Fierit pak ditë më parë.

 

“E mirëkuptoj aq shumë agresivitetin dhe urrejtjen që kanë prindërit. Do të bëja të njëjtën gjë po të isha në vendin e tyre. Nisur nga pozitat e tyre, është kërkesa më legjitime që ka në botë çdo prind. Po, a është kjo zgjidhja? Ndonjëherë vdekja duke sikur është kapak floriri për këta njerëz. Ndonjëherë them që më mirë të vuajë prapa hekurave, sesa të mbarojë aq shpejt dënimi që duhet të ketë.”

 

Luarasi ka treguar se çfarë parashikon nisma që kanë propozuar për krijimin e një regjistri të pedofilëve.

 

“Nisma nuk është vetëm për pedofilët, por për autorët e krimeve seksuale në përgjithësi. Regjistri parashikon që ne të kemi një listë të të gjithë autorëve të krimeve seksuale. Kemi kërkuar që të kemi një listë me efekte prapavepruese. Duhet të jetë i aksesueshëm edhe nga publiku. Parashikon ndërgjegjësim. Parashikon që këta njerëz mos të kenë kurrë akses për t’u punësuar, veçanërisht, pranë vendeve ku janë fëmijët. Është nisma e parë që merr 22 mijë firma qytetarësh nga 20 mijë firma që kërkon ligji. Janë mbledhur në kohë rekord.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *