Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, është ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Veseli në një konferencë për media.

Ai ka thënë se do të intervistohet më 4 dhjetor në Hagë.

“Si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë sot kam pranuar ftesë nga Dhomat e Specializuara për t’u intervistuar më 4 dhjetor në Hagë”, ka thënë Veseli.

“Unë do t’i përgjigjem kësaj ftesë më 4 dhjetor”, ka shtuar ai.

Prokuroria Speciale, deri më tash, ka ftuar për intervistim rreth 100 persona, ndër ta edhe disa nga ish-figurat e larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që pas luftës ishin dhe janë pjesë e skenës politike të Kosovës.

Në mesin e tyre: Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Shukri Buja dhe Ramush Haradinaj.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorisë Speciale janë përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale, që lidhen me akuzat e ngritura në një raport të Këshillit të Evropës, më 2011.

Në këtë raport flitet për krime të pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri më 2000./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *