Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK për akuzën e “Falsifikimit të Vulave, Stampave Ose Formularëve” kryer në bashkëpunim.
Sot, Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet dhe i komunikoi drejtuesit të Bashkisë Kuçovë, akuzën e mësipërme, për të cilën Hajdari rrezikon nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burg. Vetë kryebashkiaku refuzoi të ketë falsifikuar dokumentet apo të ketë gënjyer në formularin e dekriminalizmit, një proces që bëhet për çdo kandidat përpara garimit në zgjedhje.
Përkundër asaj çfarë SPAK konfirmoi për Vizion Plus, avokati i Kreshnik Hajdarit e mohoi marrjen të pandehur të të mbrojturit prej tij.
THEODHORI SOLLAKU
AVOKAT
Çfarë tha dje në KQZ e tha dhe sot. Dha shpjegime për kallëzimet që kanë bërë subjektet politike për një pretendim që 25 vjet më përpara ka kaluar në mënyrë të paligjshme të kufirin dhe qenka dënuar me qortim shoqëror. Nuk ka asnjë vendim të komunikuar, asnjë vendim të komunikuar, as një vendim të deklaruar më përpara. Dhe po të ishte e vërtetë, po ta deklaronte nuk do të kishte asnjë konseguencë.
Hetimet për kreun e bashkisë së Kuçovës nisën pasi koalicioni “Bashkë Fitojmë” i bëri të ditur Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve se Hajdari kishte fshehur një dënim të formës së prerë në shtetin grek për “Kalim të Paligjshëm të Kufirit”, gjë të cilën ai e nuk e kishte treguar në formularin e dekriminalizimit.
Komisioni kërkoi ndihmën e organeve të drejtësisë, të cilat morën konfirmin nga pala greke për dënimin e Hajdarit.
Pas kësaj. SPAK çeli hetimet, të cilat u mbyllën pikërisht sot.
Ditën e djeshme, Ilirjan Celibashi kreu i KQZ, vendosi që Kreshnik Hajdari të mos shkarkohet nga detyra për shkak se vepra e kryer nuk është subjekt i ligjit të dekriminalizimit.
Një rast I ngjashem është edhe ai i kryebashkiakut tjetër socialist të Mallakastrës, Qerim Ismailaj, i cili u dënua me 40 orë punë në komunitet, por mandati nuk iu hoq. Vetëm nëse, Kreshnik Hajdari dënohet me burgim, atëherë Kuçova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, por tagrin për këtë e ka KQZ.