E mërkurë, 11 Nëntor 2026 Takohemi N'vizion deri në 06:55 Në vijim ora 06:55: 7 PA 5 Live Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Kremlini: Vendimi i CEDH për masakrën e Beslanit i papranueshëm

Kremlini e cilësoi sot si të papranueshëm vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (CEDH) që vlerësoi se Moska kishte treguar mangësi serioze në trajtimin e pengmarrjes së Beslanit në vitin 2004, ku humbën jetën 300 persona.

 

Ministria ruse e Drejtësisë njoftoi qëllimin e saj për të apeluar vendimin brenda tre muajve.

 

Reklamë

“Ne nuk mund të jemi dakord me një formulim të tillë. Për një vend që i është nënshtruar shumë herë sulmeve terroriste, (…) për një vend që është sulmuar, këto formulime janë absolutisht të papranueshme”, deklaroi për gazetarët zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.

 

Peskov i cilësoi përfundimet e CEDH si hipotetizëm i pastër.

 

CEDH theksoi sot se autoritetet ruse nuk kishin arritur të ndalonin këtë pengmarrje në një shkollë të Osetisë së Veriut nga një komando rebele proçeçene më 1 shtator 2004 dhe për një përdorim disproporcional të forcës gjatë sulmit.

 

Në një komunikatë Ministria e Drejtësisë i cilësoi përfundimet e Gjykatës të pabaza dhe argumentet e përdorura jo bindëse dhe në kundërshtim me provat e dhëna nga autoritetet ruse.

 

Më shumë se 330 civilë u vranë, 186 prej të cilëve fëmijë dhe rreth 750 të tjerë u plagosën gjatë sulmit të forcave ruse paraprirë nga dy shpërthime më 3 shtator 2004.

 

Si ndodhi kjo ngjarje?

 

Kriza e pengjeve në shkollën e Beslanit (e njohur gjithashtu si masakra e Beslanit) nisi kur një grup terroristësh të armatosur, që kërkonin t’i jepej fund Luftës së Dytë çeçene morën peng më shumë se 1100 vetë përfshirë 777 fëmijë në 1 shtator 2004, në Shkollën Numër Një në qytetin e Beslanit në Oshetinë Veriore, një republikë autonome në rajonin e Kaukazit Verior të Federatës ruse. Në ditën e tretë të kësaj situate, forcat speciale të sigurisë hynë me forcë në ndërtesë, duke përdorur tanke, raketa termobarike dhe armë të tjera të rënda. Pengmarrja u krye nga Batalioni i Zbulimit Ryadus-Salikkin i grupit të Martirëve Çeçenë që udhëhiqej nga Shamil Basajev, në atë kohë një luftëdashës i pavarur. Tragjedia çoi më pas në reperkusione sigurie dhe politike në Rusi, ku më të spikatura ishin një seri reformash të qeverisë që konsolidonin pushtetin në Kremlin dhe forconin kompetencat e Presidentit në Rusi. Deri vonë ka patur shumë aspekte të krizës ende të paqartësuara, duke përfshirë numrin e militantëve të përfshirë, përgatitjet e tyre dhe, nëse disa prej tyre kishin mundur të shpëtonin. Pikëpyetjet në lidhje me menaxhimin që qeveria i bëri krizës kanë vazhduar gjithashtu, duke përfshirë dizinformacione dhe censurë e lajmeve në media, represion ndaj gazetarëve që nxituan në Beslan, natyrën dhe përmbajtjen e negociatave me militantët, përgjegjësitë për gjakun e derdhur, si dhe përdorimin ndoshta të forcës së tepruar nga ana e qeverisë.

https://www.youtube.com/watch?v=WLZBnq5WUhI

 

Vazhdo të lexosh

Reklamë