Sektori bankar ka arritur përmirësime të mëtejshme në treguesin e kredive me probleme gjatë muajit korrik.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues zbriti në 7.05%, nga 7.12% që kishte qenë një muaj më parë, duke shënuar një nivel të ri minimal për 12 vitet e fundit.

Deri tani, shqetësimi për rritje të raportit të kredive me probleme për shkak të pandemisë nuk është materializuar. Në një fazë të parë, kjo erdhi sidomos për shkak të masave rregullatore të Bankës së Shqipërisë, që mundësuan shtyrjen dhe ristrukturimin e kësteve të kredive, pa keqësuar statusin e kredimarrërsit.

Në vazhdim, ruajtja e cilësisë së portofolit të kredisë bankare është ndihmuar nga mosaplikimi i kufizimeve drastike dhe nga përmirësimi gradual i aktivitetit ekonomik. Ekonomia shqiptare dha shenja të mira rimëkëmbjeje në tremujorin e pare 2021, me një rritje prej 5.53%, ndërsa në bazë të treguesve të tërthortë Banka e Shqipërisë vlerëson që rritja në tremujorin e dytë ka qenë edhe më e lartë.

Zbutja e efekteve të pandemisë dhe përmirësimi i gjendjes së ekonomisë duket se kanë ndikuar pozitivisht aftësinë paguese të huamarrësve.

Në veçanti, sezoni turistik perceptohet mjaft i mirë. Për 7-mujorin, numri i vizitorëve të huaj në Shqipëri është rritur me pothuajse dy herë e gjysmë krahasuar me një vit më parë. Shumica e ekspertëve e vlerësojnë turizmin një faktor me ndikim përcaktues në tendencat e rritjes ekonomike për këtë vit.

Por, nga ana tjetër, edhe vazhdimi i rritjes së portofolit të kredisë po jep një ndikim pozitiv në uljen graduale të peshës së kredive të këqija. Në fund të muajit korrik, portofoli total i kredisë për ekonominë arriti në 629.1 miliardë lekë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, teprica e kredisë është rritur me 6.5%.

Deri tani, ecuria e raportit të kredive me probleme po shfaqet dukshëm më e mirë se të gjitha parashikimet e institucioneve financiare të specializuara, që parashikonin një rritje të raportit të kredive me probleme me disa valë.

Në fillimet e pandemisë, Banka e Shqipërisë parashikonte në analizat e saj të brendshme se raporti i kredive me probleme mund të rritej deri në 15%. Një gjë e tillë nuk ndodhi, madje ky tregues po vazhdon të bjerë. Megjithatë, është herët për të thënë se rreziku i rritjes së kredive të këqija është shmangur përfundimisht.

Tremujori i tretë i këtij viti do të tregojë nëse bizneset që ristrukturuan kreditë në pritje të ditëve më të mira do të jenë në gjendje të paguajnë normalisht detyrimet e tyre.

Nga ana tjetër, cikli i pandemisë ka shfaqur përsëri një përkeqësim, në Shqipëri ashtu si në shumicën e vendeve të tjera.

Ky ngelet një faktor madhor rreziku për performancën e ekonomisë dhe të sektorit financiar, megjithëse deri tani mundësia e aplikimit të kufizimeve më serioze se ato që u aplikuan vjeshtën e kaluar duket e largët./Burimi: Monitor.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *