Vetëm 3% e banesave në vend janë të siguruara nga katastrofat. Dhe kjo ka ndodhur pasi qytetarët janë detyruar nga banka, për efekt kredie. Por çfarë do të ndodhë nesër me këto kontrata sigurimi, kur të miratohet sigurimi me detyrim në shtet i banesës nga dëmet e tërmetit? Ja si përgjigjet Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në E-ZONE, Vizion Plus.
Draftligji i qeverisë që është për konsultim, flet për një sigurim që lidhet vetëm me ngjarjet e tërmetit. Ndërsa kontratat që kanë individët me kompanitë e sigurimit dhe me bankën janë kontrata që mbulojnë sigurimin nga zjarri, tërmeti apo përmbytjet. Të gjitha kontratat që kanë qëllime kredimarrjeje do të vijojnë të jenë në fuqi. Paralel me to, do të jetë dhe kontrata për sigurimin bazik në shtet për tërmetet.
Pyetje: Pra kredimarrësit do të kenë dy kontrata?
Po, do të kenë dy kontrata të cilat kanë specifikat e veta dhe do të hyjnë në fuqi në kohë të ndryshme- sqaroi drejtorja e mbikëqyrjes së sigurimeve në AMF, Marsela Vaska
Drafti për të siguruar shtëpitë ende nuk e ka marrë formën e plotë, ai pritet të rishikohet dhe të diskutohet me aktorët e tregut.