Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë nuk ka certifikuar listën e kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate. Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe morën driten jeshile për të vijuar me fushatën elektorale.
Mosparanimi i listave nga partitë përkatëse erdhi pasi kishte emra e anëtarëve të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë për një vepër penale në 3 vitet e fundit, çka sipas KQZështë e papërshtatshme për të kandiduar në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Nga moscertifikimi i kësaj liste, e drejta për të kandiduar i mohohet figurës kyçe të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili para afro dy vitesh është dënuar me kusht.
Anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, bëri të ditur se partia e tij do t’i ndërmarrë të gjitha rrugët ligjore për të ndryshuar vendimin.
SAMI KURTESHI
ANËTARI I KQZ-SË NGA LËVIZJA VETËVENDOSJE“Lista e Lëvizjes Vetëvendosje nuk u certifikua dhe kjo ka qenë thelbi i krejt kësaj. Vetëm po iu tregoj një rast. Kemi një vendim gjyqësor për njërin nga kandidatët. Ky ka kryer vepër penale rrezik të trafikut publik dhe ky është dënimi për cka dikush do me larguar nga lista.”
Anëtari i partisë Nisma e ciësoi këtë vendim si të politizuar, ndërsa theksoi se ashtu si edhe Vetëvendosja, do të ndjekin rrugët ligjore për të kundërshtuar këtë.
Më herët zyra për Certifikimin e Kandidatëve dhe Partive Politike propozoi që të certifikohen te gjithë kandidatët, dicçka që nuk u pranua nga KQZ.
Në total numri i kandidatëve është 1,079 propozuar nga 21 parti politike, dy koalicione parazgjedhore dhe pesë iniciativa qytetare.
Afati për të dorëzuar ankesat pranë zyrës përkatëse si dhe në Gjykatën Supreme, përfundon më 31 janar.