KQZ nis rinumërimin e votave, hapen kutitë e Gramshit e Peqinit, procesi do vijojë me Tiranën, Durrësin e Fierin
Kështu u paraqit situata në nisje të procesit të analizimit të dokumentacionit në kutitë zgjedhore për Gramshin dhe Peqinin sot në ambientet e Pallatit të sportit “Fahrije Hoti” në kryeqytet.
Bledi Himçi nga Partia Demokratike, kundërshtoi rezultatin me pretendimin se në njërën prej kutive të para të hapura u konstatuan 2 fletë votimi pa vulë.
Himçi: Kjo kuti të dalë e pavlefshme. E kemi konstatuar nga pamjet filmike dhe po e shikojmë edhe këtu, është një situatë skandaloze. Ka vetëm një vulë dhe vazhdojnë e konstatojnë si të vlefshme. Kjo s’ka vulë fare, është quajtur e vlefshme. Duhet bërë edhe korrigjimi i tabelës dhe konstatimi për pavlefshmëri të kësaj kutie. Futet një fletë bosh që ka krijuar trenin bullgar, është që kjo kuti të dalë e gjithë e pavlefshme.
Përfaqësuesi i KAS: Ne nuk shkojmë tek rinumërimi, se kjo që thua ti është rinumërim. Jemi duke rivlerësuar provat për efekt të pavlefshmërisë. Shkojmë në konstatimin e tyre që janë me mangësi formale dhe evidentimin tyre në procesverbal. Pastaj për efekt ligji, KAS ku ka numrin e fletëve të votimit të konstatojnë të parregullta në raport me numrin e fletëve të votimit të dala në kuti, vlerësojmë nëse kjo kuti ka elementë për tu shpallur e pavlefshme. Jo rinumërim. Numëruesi nuk e ka autoritetin me thënë që kjo është votë e parregullt, atë e vlerëson KAS, numëruesi thotë kjo fletë votimi nuk kishte këtë elementë, ishte konstatuar e rregullt, por mungojnë vulat.
Menjëherë pas përfundimit të rishikimit për Elbasanin, do të vijojë puna për 1284 kutitë e Tiranës, pasi rinumërimi do të zhvillohet për subjektin politik dhe për kandidatët. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe për të gjithë qarkun e Fierit, ndërsa për Durrësin do të rinumërohen 360 kuti, përfshirë 85 nga diaspora.
Procesi do të shtrihet për rreth 1 muaj dhe po realizohet me 24 grupe pune dhe 63 punonjës të administratës zgjedhore ku nuk do të përjashtohen vëzhguesit e 3 subjekteve politike që kanë ankimuar vendimin.
Me rinumërim të votave mundësia për ndryshim të emrave kandidat fitues është relativisht e ulët, mundësia ekziston për 2-3 raste ku mandat i deputetit është fituar me më pak se 500 vota, si Olta Xhaçës përball Blerina Gjylametit apo Ornaldo Rakipit përball Qemal Xhefalisë në Tiranë, ndërsa në Fier Adriatik Lapaj kërkon mandatin e humbur me diferencë 500 vota për kandidatin Azmer Duleviç
Vendimi për rinumërimin e votave u mor nga dy anëtarët e Komisionit të Ankimimeve dhe sanksioneve pas ankimimeve të subjekteve politike për parregullsi në proces.



