Partia Demokratike ka formuluar një propozim të ri me të cilin do të paraqitet në Këshillin Politik mbi formulën e riformatimit të KQZ. Thelbi i propozimit të ri mes të tjerash është tërheqja nga roli që Avokati i Popullit do të kishte në ngritjen e strukturës së re të KQZ. Tashmë PD është dakort që këtë rol ta ketë sërish Kuvendi, sic ka ndodhur edhe më parë.

Komisioneri, Zëvendëskomisioneri, anëtarët e Rregullatorit dhe anëtarët e KAS-it zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në këtë nen.

Kryetari i Kuvendit, njofton datën dhe orën e mbledhjes së seancës plenare për votimin e anëtarëve të KQZ. Brenda 10 ditëve, Kuvendi miraton listën e kandidatëve në bllok me shumicë votash. Në rast se Kuvendi nuk e miraton listën e kandidatëve në bllok, sipas këtij paragrafi, Kryetari i Kuvendit ia kthen atë komisionit Ad Hoc të Përzgjedhjes për përsëritjen e procesit të përzgjedhjes dhe dërgimin e një liste të dytë brenda 10 ditëve. Komisioni Ad Hoc i Përzgjedhjes zbaton të njëjtat rregulla të parashikuara në pikën 8. Kuvendi, brenda 10 ditëve nga dërgimi i listës së dytë, mund ta rrëzojë në bllok listën e kandidatëve me 3/5 e të gjithë anëtarëve të tij. Në rast se lista nuk rrëzohet, kandidatët e përzgjedhur konsiderohen të zgjedhur dhe vendimi i Kuvendit për miratimin e listës së kandidatëve të zgjedhur botohet në numrin më të parë të Fletores Zyrtare. Në rast se lista e dytë rrëzohet nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit rishpall njoftimin për shprehje interesi.”.

Sa i takonkohëzgjatjes së mandateve të anëtarëve të KQZ,  PD propozon që të ruhet kohëzgjatja e dakordësuar njëherë mes palëve politike në Shqipëri dhe që është aktualisht në fuqi.

Komisioneri dhe Zëvendëskomisioneri të kenë mandat 4 vjeçar, me të drejtë ripërtëritje vetëm një herë; ndërsa anëtarët e KAS të kenë mandat 6 vjeçar, me të drejtë ripërtëritje vetëm një herë. Për këtë arsye, në nenet 13 dhe 16 të draftit të para datës 5 Qershor, të bëhen ndryshimet si më poshtë vijon:

  1. Në nenin 13, paragrafi 1, ndryshohet si vijon:

“1. Komisioneri zgjidhet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 4 vjeçar, të përtëritshëm, sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj.”.

Në nenin 16, paragrafi 1, ndryshohet si vijon:

“1. KAS-i përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 6 vjeçar, të përtëritshëm, sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj.”.

Ndërkohë  me shumicën për vendimmarrje në KQZ, secila palë duhet të ruajë garancitë aktuale dhe të mos zhbëhet një standart i arritur.

Konkretisht, për vendimet që kanë impakt në zgjedhje dhe në rregullat e barabrata të garës elektorale, duhet të ruhet vendimmarrja me shumicë të cilësuar që është një garanci që ekziston aktualisht në Kodin Zgjedhor. Për këtë arsye, pas nenit 21, duhet të shtohet një nen i ri, me këtë përmbajtje:

“Neni 21/1

Vendimmarrja

1. Konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 4 anëtarë të KQZ-së, sipas rastit të Rregullatorit apo të KAS, vendimet lidhur me:

a) shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore;

b) pranimin e ankimit kundër vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore dhe vendimet lidhur me ankimet kundër vendimeve të KZAZ-ve për rezultatin e zgjedhjeve për qeverisjen vendore;

c) kërkesat për deklarimin e pavlefshëm të zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi;

ç) shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në zonën zgjedhore apo në të gjithë vendin dhe përsëritjen e tyre;

d) aktet me karakter normativ dhe që kanë për qëllim rregullimin e çështjeve që lidhen me zgjedhjet;

dh) propozimin për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së;

e) miratimin e strukturës organike të KQZ-së, si dhe rregulloren e funksionimit të KQZ-së;

ë) caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore;

f) caktimin e zonave të administrimit zgjedhor.

2. Vendimet e tjera miratohen me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KQZ-së, sipas rastit të Rregullatorit apo të KAS.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *