Subscribe

I pari qark të cilit i miratohet rezultati i zgjedhjeve të 25 Prillit, si për partitë dhe kandidatët për deputetë është Kukësi. Me një diferencë prej më shumë se 10 mijë votash koalicioni “Aleanca për Ndryshim” udhëhequr nga Partia Demokratike fitoi 2 mandate ndërsa Partia Socialiste vetëm një, duke mos mundur të arrijë objektivin më të ulët që i kishte vendosur vetes, për 2 mandate.

 

Deputetët e Partisë Demokratike që do të përfaqësojnë këtë qark në parlamentin e ri do të jenë Flamur Hoxha dhe Isuf Çelaj, që ruajtën të njëjtën renditje edhe me votën preferenciale.

 

Nga Partia Socialiste është një grua, e para e listës, Gerta Duraku. Vota e 25 Prillit në qarkun e Kukësit la jashtë listës aktorin e njohur Petrit Malaj, që jo vetëm nuk morri një mandat deputeti por edhe vota preferenciale ishte më e ulët se e Gerta Durakut, tanimë me mandat deputeti.

 

Me miratimin e rezultatit të zgjedhjeve për të 12 qarqet, subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhje zotërojnë të drejtën për të kundërshtuar rezultatin duke e ankimuar në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve. Ligji ua njeh të drejtën e hapjes së 10 për qind të kutive në zonën ku ata dyshojnë se është manipuluar vullneti politik dhe nëse KAS vlerëson se ka të dhëna të mjaftueshme, mund të vendosë rinumërim të votave në të gjithë vendin, gjithnjë nëse i të njëjtës vendimarrje do të jetë edhe Kolegji Zgjedhor, institucioni që jep verdiktin final.

 

Ende ankth për kandidatët për deputetë që do të zënë vendin e kryesocialistit Edi Rama dhe kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhit. As njëri dhe as tjetri nuk e kanë vendosur se cilin mandat të deputetit do të mbajnë. Edi Rama të Vlorës apo të Durrësit dhe Monika Kryemadhi të Tiranës apo Fierit.

 

Edhe kjo pikë do të shkaktojë diskutim nëse Komisioneri Shtetëror nuk e zgjidh paraprakisht me drejtuesit e dy partive, duke i kërkuar të përcaktojnë mandatin përpara se KQZ të miratojë rezultatin e secilit qark. Në të kundërt do të jetë Ilirjan Celibashi ai që do të bëjë vendimarrjen. Edhe pse në kod nuk është e përcaktuar qartë se kujt i takon, kandidatit pasardhës sipas listave të kryetarëve apo atij që zotëron numrin më të madh të votave preferenciale, qasja është që mandatin e deputetit ta marrë ai që ka grumbulluar më shumë vota pëlqyese.

 

Po këtë të shtunë KQZ vendosi se Artur Baku i LSI, Napolon Lasku nga “Thurja” dhe Adrian Gjoka nga “Lëvizja për Ndryshim” kandidatët për deputetë, që ishin çuar për verifikim të mëtejshëm nga Prokuroria e Përgjithshme nuk rezultuan në kushtet e ndalimit të kandidimit. Edhe po të kishte qenë e kundërta asnjëri prej tyre nuk rrezikonte mandatin e deputetit pasi të tre ishin humbës të parlamentareve të 25 Prillit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *