Subscribe

Kreu i Komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj e ka cilësuar vendimin e KQZ për të lënë këtë forcë politike jashtë zgjedhjeve vendore, si vendim i ndikuar nga aktorë politikë. Ai akuzon, kryekomisionerin e KQZ se nuk mundet të ndajë tifozërinë personale nga faktet juridike.

 

“Vendimi i paralajmëruar i Komisionerit të Zgjedhjeve është qartas i ndikuar politikisht nga aktorët politikë të interesuar që PD të mos regjistrohet në procesin e zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sikundër e deklaroi dhe publikisht, zoti Celibashi e ka të pamundur të ndajë opinionet dhe tifozerinë personale nga faktet juridike. Për pasojë, vendimi i tij e zgjat pa fund dhe pa arsye të qenësishme regjistrimin e PD. Dukshëm, e madje deri në kufijtë e groteskut, komisioneri nisur vetëm për shërbim politik ndaj kundërshtarëve të PD, vendos ta përjashtojë nga zgjedhjet”, shkruan ai.

 

Në të njëjtën kohë, kreu i komanduar i PD, shton se kjo forcë politike do të ndjekë çdo rrugë ligjore për të hyrë në zgjedhjet lokale.

 

 “Siç ndodhte këtu e 32 vjet më parë, kur ishte partia në pushtet ajo që lejonte ne zgjedhje vetëm satelitët e saj. Kjo marrëzi politike, si 32 vjet më parë, i ndodh sot Shqipërisë kur është vend i NATO-s dhe synon të jetë anëtar i BE-së!

Megjithëkëtë e si përherë do të vijojmë rrugën ligjore për të finalizuar përfaqësimin e PD në 14 maj. Çdo artificë ligjore apo arsye e stisur politike dhe aspak ligjore është thjesht rruga e dëshpëruar që zgjatime të politikës së vjetër në institucione kushtetuese të pavarura kanë zgjedhur për të na penguar në rrugën tonë. Nuk do ia dalin”, përfundon Alibeaj.

 

Partia Demokratike pritet të ankimojë në KAS vendimin e KQZ për lënien jashtë zgjedhjeve lokale të 14 majit. KQZ arsyetoi se PD nuk ka plotësuar dokumentet thelbësore për regjistrimin e këtij subjekti në zgjedhje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *