Përplasja brenda LDK-së thellohet pas dështimit të marrëveshjes për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, sulmoi gjashtë deputetët që nuk mbështetën kandidaturën e Bekim Sejdiut, duke i bërë përgjegjës për situatën e krijuar dhe për rrezikun e zgjedhjeve të reja.
“Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja”, tha Abdixhiku.
Edhe pse Albin Kurti tha se marrëveshja me Lidhjen Demokratike është ende në fuqi, nuk dihet nëse negociatat e reja do të kenë sukses. Thellimi i krizës politike vjen në një kohë kur dy forcat e tjera opozitare, PDK dhe AAK nuk e kanë ndalur protestën e tyre para qeverisë.
“Albin Kurti duhet ta ftojë seancën, të kthehet në Kuvend, t’i hapë rrugë krijimit të institucioneve të reja. E thashë dhe po e ripërsëris: janë ditë të rënda që po i përjeton qytetari i Kosovës. Kosova po stagnon në të gjitha drejtimet e saj. Dje e kemi parë një protestë në sheshin e qytetit ku komunat e Kosovës, qytetarë nga të gjitha komunat kanë protestuar për shkak të diskriminimit dhe qasjes joserioze që po e bën Albin Kurti dhe përfaqësuesit e partisë së tij”, tha Blerta Deliu Kodra, deputete e PDK-së.
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, tha se do të vazhdojnë të qëndrojnë dhe të rezistojnë për mbrojtjen e Kushtetutës.
“Nuk është opsioni më i keq në botë nëse ka zgjedhje. Opsioni më i keq në botë për ne, për Kosovën, është nëse një njeri, sikurse është Kurti, është edhe kryeministër, edhe president, edhe parlament, edhe gjithçka.Pra, jemi në një fazë në të cilën Kosova tashmë është vendosur totalisht në duart e vetëm një njeriu dhe ne nuk e pranojmë këtë, nuk do ta pranojmë dhe për këtë besoj që qytetarët do t’i japin përgjigjen së shpejti”, tha Ramadani.
Sakaq ish-emisari amerikan për Ballkanin, Richard Grenell ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike në Kosovë. Ai ka mbështetur gjashtë deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët kanë deklaruar se nuk do ta votojnë kandidatin për president, Bekim Sejdiun.
“Miku im Avdullah Hoti dhe kolegët e tij janë miq të mëdhenj të Amerikës”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.





