Kosovë, përplasje në koalicionin qeveritar për tarifat

Qeveria e Kosovës ka theksuar se në takimin e kësaj të mërkure me liderët është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, për funksionimin e institucioneve, përmbushjen e agjendës qeverisëse dhe legjislative.
Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat qeveria thekson se pjesë e këtij diskutimi ka qenë aprovimi i Buxhetit 2019, pakot e ligjeve përcjellëse, dhe platformën e dialogut dhe çështjen e taksës.
“Partnerët e koalicionit janë dakorduar që ditëve në vazhdim t’i intensifikojnë veprimet dhe aktivitetet drejt harmonizimit të vendimmarrjes për sa u takon temave të sipërpërmendura. Gjatë takimit është biseduar kryesisht për aspektet kryesore që ndërlidhen me platformën e dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës”.
Sipas Qeverisë, Platforma e Dialogut do të reflektojë pozicionin unik të institucioneve të vendit për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse Ligjërisht e Obligueshme, e cila, siç vlerëson Qeveria, duhet të rezultojë me njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.
“Po ashtu, liderët e koalicionit u zotuan për intensifikimin e hapave dhe bashkërendimin e vendimeve me partnerët strategjikë të Kosovës, SHBA-të dhe BE-në. Është vlerësim i përbashkët se koalicioni është funksional dhe stabil. Do të vazhdohet me përkushtim në arritjen e qëllimeve në përputhje me objektivat programore qeverisëse”.




