Në Kosovë sipas të dhënave zyrtare të Policisë rastet e raportuara të dhunës në familje janë në rritje nga viti në vit. Përgjatë vitit të kaluar janë raportuar gjithsej 1915 raste të dhunës, derisa vetëm në gjysmën e parë të këtij viti janë raportuar mbi një mijë raste.

Zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi, në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës tha se në periudhën janar-shtator të këtij viti, në 80 raste të dhunës në familje, viktimë kanë qenë fëmijët, 30 djem dhe 50 vajza.

Një anketë e publikuar muajin e kaluar nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për fëmijët në Kosovë, UNICEF, nxjerr në pah se mbi 70 përqind e fëmijëve të moshës 1-14 vjecare disiplinohen në forma të dhunshme.

“Kjo përfshin forma të agresionit psikologjik me rreth 69 përqind të fëmijëve, forma të ndëshkimit fizik për 30 përqind të fëmijëve prej të cilëve 6 përqind janë raportuar të jenë disiplinuar në forma të rënda të ndëshkimit fizik. Kjo përfshin ndëshkim fizik në pjesë të ndryshme të trupit të cilat e dimë se janë jashtëzakonisht të dëmshme për zhvillimin e një fëmiu”, thotë Teuta Halimi specialiste për monitorimin e të drejtave të fëmijëve në UNICEF.

Anketa me titullin “Cka do të thotë të jesh fëmijë në Kosovë” po ashtu tregon se 14 përqind e nënave kanë konfirmuar se besojnë që ndëshkimi fizik është adekuat për ta edukuar një fëmijë.

Teuta Halimi, specialiste për monitorimin e të drejtave të fëmijëve në UNICEF, i tha Zërit të Amerikës së të dhënat për këtë anketë janë mbledhur para pandemisë, ndërkaq pandemia e ka rënduar këtë gjendje edhe më shumë.

“Masat për luftimin apo parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 të cilat kanë rezultuar me mbyllje totale, gjithashtu për një numër të madh të familjeve ka qenë ballafaqim me vështirësi të ndryshme qoftë në aspketin e humbjes së punës apo cështje të tjera të mirëqenies së tyre dhe situatës së tyre në përgjithësi, kjo ka reflektuar në rritje të ushtrimit të dhunës brenda familjes ku do të duhej të ishte vendi më i sigurtë për të gjithë”, thotë ajo.

Habit Hajredini nga Zyra për Qeverisje të Mirë, i tha Zërit të Amerikës se për t’u dalë në mbrojtje fëmijëve, në korrik të këtij viti është miratuar ligji për mbrojtjen e fëmijëve.

“Gjatë pandemisë është një vit shumë i vështirë që e kemi kaluar të gjithë dhe sidomos goditen më shumë grupet më të ndjeshme, më të rrezikuara, në këtë rast fëmijët gjithsesi janë më të prekur dhe më të rrezikuar në kohën që po kalojnë. Për këtë ne fatmirsisht kemi futur në funksion ligjin për mbrojtje të fëmijës në korrik të këtij viti. Ne si zyrë që kemi mandat të koordinojmë procesin kemi mobilizuar të gjitha instancat për të nxjerrë aktet nënligjore që kanë të bëjnë me mbrojtjen e fëmijëve, për të rregulluar sistemin e mbrojtjes së fëmijëve”, tha ai.

Zoti Hajredini tha se Kosova nuk ka aktualisht strehimore për fëmijët që përjetojnë dhunë në familje, por me ligjin e ri në vitin 2021 do të funksionalizohen tri shtëpitë e para për fëmijë të përfshirë në dhunë familjare.

“Do të futen në funksion ekipet e të drejtave të fëmijëve me ligj obligohet t’i krijojë cdo komunë, ata do të marrin përgjegjësi për mbrojtjen e fëmijëve. Me ligj po ashtu jemi të obliguar për të krijuar linjën telefonike për mbrojtjen e fëmijëve, është nismë që presim në vitin 2021sepse kërkon kosto kohore dhe financiare. Kjo linjë nuk do të jetë vetëm për të dhënë një ndihmë por për të dhënë shumë këshilla psikologjike, sociale, shëndetësore”, tha ai.

Të dhënat e Policisë për periudhën janar shtator të këtij viti tregojnë se marrëdhëniet familjare të të përfshirëve në rastet e dhunës janë 698 bashkëshortë, 197 raste baba – djalë, 124 raste nënë – djalë e të tjerë. Policia gjatë kësaj kohe ka arrestuar 655 të dyshuar për përfshirje në rastet e dhunës në familje, ndërkaq 1381 raste i ka dërguar në prokuroritë përkatëse./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *