Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë deri në mesditë pjesëmarrja në zgjedhjet zgjedhjet lokale në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan ka qenë tepër e ulët.

Partia më e madhe serbëve të Kosovës, Lista Srpska, e cila kishte deklaruar më herët se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, u kishte bërë thirrje zgjedhësve që t’i bojkotonin ato. Por edhe Partia e Serbëve të Kosovës, që fillimisht ishte regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje, në momentet e fundit, hoqi dorë nga pjesëmarrja, për shkak të siç tha “mungesës së kushteve të përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve”. Prandaj në këto zgjedhje ishin në garë 10 kandidatë prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb.

Postet e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës mbetën bosh në nëntor të vitit të shkuar, kur përfaqësuesit serbë dhanë dorëheqjen nga vendet e tyre të punës për shkak të mospajtimeve ndaj një vendimi të qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave me targa të lëshuara nga Serbia. Prandaj sot (24.03.) qenë ftuar për të votuar për zgjedhjet për kryetarët e rinj të komunave qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, kurse në Zveçan dhe Leposaviq votimi bëhej edhe për përbërjet e reja të asambleve komunale.

Peter Stano: Bojkotimi i Lista Serbe është zhgënjyes

Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, tha se “është shumë zhgënjyese që Lista Serbe që përfaqëson serbët e Kosovës ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 23 prillit në katër komunat veriore”. Stano tha se është detyrë e Kosovës dhe e Serbisë që ta kenë përparësi kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe të bien dakord për një rrugë përpara që është gjithëpërfshirëse, e drejtë, demokratike dhe paqësore.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se serbët e Kosovës janë në një situatë të vështirë, pasi që ata nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale. Sipas tij pasi të formohen autoritetet e reja lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, komuna këto në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, do të ketë sikurse tha ai “pushtim të plotë”.

“Populli ynë me qetësi, përgjegjësi dhe përbuzje do t’i shikojë ata që do të vijnë nga Mitrovica e Jugut për të votuar që të zgjidhet udhëheqje e re në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Çfarë do të ndodhë më pas, do të jetë një pushtim i plotë për të cilin qytetarët tashmë janë gati, janë mësuar. Ata do të jenë të qetë, do të jenë të përgjegjshëm, ne do të paguajmë rrogat si më parë, do të luftojmë edhe më shumë për ta”, tha Vuçiq, sipas agjencisë serbe të lajmeve, Beta./DW

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *