Në Kosovë të dielën nisën manifestimet treditëshe në përkujtim të 25 vjetorit të betejës së fshatit Prekaz të komunës së Skenderajt, e cila shënoi edhe fillimin e luftës gati dy vjeçare ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe, që mori fund në qershor të vitit 1999 me ndërhyrjen e NATO-s. Më 5 mars të vitit 1998, forcat serbe rrethuan familjen Jashari në Prekaz. Gjatë disa ditë luftimesh humbën jetën mbi 50 anëtarë të familjes përfshirë edhe Adem Jasharin që shqiptarët e njohin si komandant legjendar të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Udhëheqësit e Kosovës vlerësuan lart sakrificën e të gjithë të rënëve për liri, ndërsa theksuan se kjo sakrificë shërben sot si forcë për rrugëtimin e Kosovës drejt synimeve të saj euroatlantike.

 

“Të gjithë ne bashkërisht të udhëhequr nga kujtimi dhe nderimi për historinë tonë të lavdishme, krahas me aleatët tanë ndërkombëtarë po ndërtojmë, zhvillojmë e forcojmë kapacitetet tona për të qenë plotësisht efektiv dhe kontribuues në mbrojtjen e vlerave që na bashkojnë, paqes, lirisë dhe demokracisë në vend e kudo në botë. Përkrah forcave aleate ishim dhe do të jemi në misione humanitare, misione të paqes e stabilitetit për të ardhmen e afërt të Republikës sonë edhe nën flamurin e NATO-s”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

 

Kryeministri Albin Kurti, tha se shteti i Kosovës është jetësim institucional i idealeve të luftëtarëve dhe të rënëve për liri.

 

“Ishte pikërisht kjo luftë ajo që jo vetëm na çliroi nga pushtuesi e okupatori dhe më pas na solli shtetin e Republikën, por edhe ajo që na krijoi hapësirë për të jetuar në liri dhe na hapi rrugën për të ndërtuar institucione demokratike dhe të qëndrueshme. Kështu nga një popull i shtypur dhe nga një vend i pushtuar në shekullin e kaluar, në këtë shekull jemi bërë një shoqëri moderne që respekton liritë dhe të drejtat e njeriut, duke ndërtuar një shtet demokratik që çdo ditë shkon duke u bërë më i fortë dhe më përparimtar”, tha ai.

 

Dhjetë vjet pas betejës së Prekazit, Kosova shpalli pavarësinë e saj e cila njihet nga mbi 100 vende të botës përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, por Serbia vazhdon ta kundërshtojë atë me mbështetjen e Rusisë.

 

Një qerek shekulli nga ngjarjet ne Prekaz, Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Javën që shkoi kryeministri Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç i thanë po një plani perëndimor për këtë çështje, që nuk përfshinë njohjen e ndërsjellë, ndonëse kërkohet që palët të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të njëra-tjetrës.

 

I dërguari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak pritet të vizitojë të dyja vendet për të diskutuar rrugët e zbatimit të planit para se të organizohet takimi i radhës ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut./voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *