Subscribe

Fshati Shtupeq dhe parku kombëtar “Bjeshkët e Namuna” mbeten zonat më të goditura nga zjarret që kanë përfshirë shumë pjesë të Kosovës në javët e fundit. Forcat e ushtrisë gjenden në terren për të vënë flakët nën kontroll, ndërkohë kjo situatë nxorri në dritë mungesën e ndjeshme të forcave zjarrfikëse. Shefi i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Latif Zeka shprehet se nuk janë në gjendje të plotësojnë as nevojat bazë.

 

 “Prishtina i ka pajisjet deri diku por problemi kryesor është mungesa e zjarrfikësve pse po e them këtë është sepse që 17 vite asnjë zjarrfikës i ri nuk është pranuar, vjetërsia është jashtëzakonisht e madhe diku prej 49 vjeç është mosha mesatare, ky është problem i madh dhe tjetri problem është statusi i padefinuar që 10 vite po bëhen nuk po zgjidhen. Prishtina si Prishtinë duhet t’i ketë së paku 150 zjarrfikës dhe mosha të jetë e re.”

 

Mosha dhe statusi i zjarrfikësve nënvziohen si dy problemet kryesore në Kosovë.

 

 “Vetëm dy kërkesa i kam të zgjidhet statusi i zjarrfikësit dhe të pranohen zjarrfikës të rinj, kjo është dhe në fund duhet të rregullohet benificioni, të jemi në një nivel me policinë pasi jemi punëtorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kjo është kërkesa ime… Nuk kemi njerëz që t’i fusim në funksion, çdo gjë po shkon përpara ne jemi duke shkuar prapa, një hap para pesë prapa, pse sepse ne po plakemi, automjetet po vjetërsohen jemi duke shkuar prapa e jo përpara.”

 

Pak ditë më parë, një person nga Komuna e Malishevës humbi jetën nga asfiksia. Ndërkohë,  policia tashmë ka arrestuar disa persona për zjarrvënie të qëllimshme.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *