Subscribe

Vala e katërt e pandemisë së koronavirusit në Kosovë konsiderohet më agresivja që nga fillimi i pandemisë. Bilancet e infektimeve dhe viktimave për më shumë se një javë vijojnë të rriten ndërsa kapacitetet spitalore janë të pamjaftueshme për të përballuar kërkesën.

Drejtori i Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi bën thirrje për vaksinim, duke vënë në dukje se shumë prej pacientëve të cilët po trajtohen janë të pavaksinuar.

 

VALBON KRASNIQI

DREJTOR I SHSKUK

 

“Gjendja është mjaft e rënduar sa i përket numrit të madh të pacientëve që po kërkojnë spitalizim. Kemi 1139 pacientë që po marrin shërbime spitalore në shtatë spitalet e përgjithshme dhe në klinikat e QKUK-së. Dhe ky numër ka tejkaluar tashmë numrin prej 1010 pacientëve që kemi pasur në pikun e pandemisë gjatë fund-muajit nëntor të vitit të kaluar. Po detyrohemi që të organizojmë shtretër shtesë, për të shtuar këto kapacitete. Pra, të riorganizojmë në tërësi të gjitha klinikat e QKUK-së dhe gjithë stafin shëndetësor të cilët janë në trajtimin e këtyre pacientëve”.

 

Krasniqi shpjegon më tej se e kanë të pamundur të ofrojnë të gjitha shërbimet e nevojshme spitalore, duke i dhënë prioritet të sëmurëve me sars cov 2.

 

“Neve na vjen keq që jemi të shtrënguar dhe duhet të pezullojmë disa shërbime, siç janë: shërbimet kirurgjike të natyrave jo emergjente, po ashtu kemi reduktuar edhe shërbimet specialistike ambulantore, diku rreth 50 për qind. Kërkojmë nga qytetarët mirëkuptim, për faktin se jemi të detyruar të shfrytëzojmë shtretërit për pacientët me COVID dhe të prioritizojmë sëmundjet të cilat janë të natyrës urgjente”.

 

Në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar janë ri-funksionalizuar shtatë njësi anti-COVID ndërsa te premten kanë humbur jetën 16 persona dhe mbi 2000 të tjerë janë infektuar. Ndërkohë në Maqedoninë e Veriut në orët e fundit janë raportuar 36 viktima dhe 1037 raste të reja me Covid-19.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *