Pas votimit të marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, qytetarët e Kosovës janë në pritje të liberalizimit të vizave.

 

Tashmë procesi është në dorën e Këshillit të Bashkimit Europian. Votimi i demarkacionit ishte një nga kushtet e fundit që Kosova duhet të përmbushte për t’i hapur rrugën liberalizimit të vizave.

Por, vlerësimi i BE-së rreth progresit të Kosovës në luftën kundër korrupsionit, do të japë përgjigjen përfundimtare për lëvizjen e lirë. Më shumë se gjysma e vendeve të BE-së, duhet të votojnë pro.

 

E gjithë procedura mund të zgjasë 6 deri në 9 muaj. Nëse vlerësohet se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret, liberalizimi mund të marrë fund vitin e ardhshëm.

 

Por, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, u shpreh optimist se Bashkimi Evropian do të liberalizojë vizat brenda këtij viti.

 

Ndërkohe, në një deklaratë të përbashkët të Shefes së Lartë për Politikë të Jashtme në BE, Federica Mogherini, Komisionerit të zgjerimit Johannes Hahn dhe atij për Çështje të Brendshme, Dimitris Avramopoulos, Kosova urohet për ratifikimin e Demarkacionit.

 

Por krerët e unionit theksojnë se tani Brukseli do të vëzhgojë Kosovën në luftën kundër korrupsionit

 

Nga ana tjetër, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të cilët penguan disa herë me gaz lotsjellës procesin e votimit të Demarkacionit, këmbëngulin se qeveria po i fal Malit te Zi 8200 hektarë toke.

Sipas tyre, liberalizimi nuk mund të ndodhë për shkak se krimi dhe korrupsioni në Kosovë janë në shkallën më të lartë.

Ndërkohë, 7 deputetët e Vetëvendosjes që tentuan bllokimin e kuvendit, janë në paraburgim për përdorim të gazit lotsjellës në kuvend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *