Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë ta kursejnë energjinë elektrike derisa vendi po përballet me krizë. Ajo ka thënë se si ministri janë në komunikim të vazhdueshëm me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut e veçanërisht me atë të Shqipërisë për të kërkuar mbështetje.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importeve të energjisë dhe se do të bëhet maksimumi për të ruajtur furnizimin e rregullt. Kurti ka treguar se dy blloqe të termocentralit Kosova B aktualisht janë jashtë funksionit, ndërsa ka thënë se situatë të ngjashme ishte javën e kaluar kur tri blloqe të Kosova A ishin jashtë funksionit nga shkaku i avarive.

 

“Kriza energjetike që ka prekur gjithë vendet e rajonit dhe botës ka ardhur edhe tek ne. Kosova varet nga importet për të mbajtur dritat ndezut. Dy blloqe të termocentralit B aktualisht janë jashtë funksionit, një situatë të ngjashme kemi pasur edhe javën e kaluar por e kemi menaxhuar. Në këtë koment kemi diku 390 megavat prodhim. Kostti ka menaxhuar me sukses deri më tash situatën, pavarësisht pengesave nga Serbia. Deri më tash këto ndërmarrje kanë mbajtur barrën e krizës energjetike. Qeveria do të ndajë shumën e nevojshme për çmimin e importeve”.

 

Ai ka thënë se është e nevojshme të kursehet energjia. Ndërkohë ish-qeveritë i ka kritikuar për gjendjen aktuale.

 

“Vendime të këqija, për dy dekada nuk u bënë riparime të qëndrueshme në termocentrale që do të siguronim prodhim të qëndrueshëm mbi bazën e kapaciteteve ekzistuese me sa më pak ndotje, e mungesa e vizionit tregohet pasi para një dekade ka qenë më lehtë të shtohen kapacitetet e energjisë, por ishte më me levërdi për ta ta vjedhin KEK-un sesa të investohej në të. Jemi në krye të detyrës e kemi gjetur shtetin përtokë në të gjitha drejtimet, por do ta ngremë në këmbë. Kjo situatë duhet përmirësuar, por ata që na sollën këtë ditë le të na kursejnë nga leksionet e të skuqen nga gjendja në të cilën e lanë shtetin”, tha Kurti.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për të treguar gjendjen të furnizimit me energji në Kosovë ka treguar vjetërsinë e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B.

 

“Në këtë dhomë jemi rreth 30 veta afërsisht, por personi më i moshuar mungon, termoncetrali Kosova A, që është 60-vjeçar. Asnjëri prej jush në këtë dhomë nuk e keni moshën Kosova A. Termocentrali Kosova B është 40-vjeçar, më i moshuar se ministrja jonë e Ekonomisë. Pra e shihni se në çfarë situate jemi”, ka thënë Kurti.

 

Ai ka treguar se në mbledhjen e Qeverisë është mirtuar vendimi për të kërkuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhënien e autorizimit për Ministrinë e Financave për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë mes Kosovës, KOSTT-it dhe KFW për projektin zhvillimi i sektorit të energjisë, përmirësimi i rrjetit të transmetimit.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se aktualisht prodhohet vetëm 400 megavat orë energji elektrike, nga rreth 1,200 e më shumë sa është kërkesa gjatë ditës. Rizvanolli ka thënë se dita e mërkurë ka qenë më e vështira e krizës energjetike gjatë këtij viti, duke shtuar se fushata që ka nisur për sensibilizimin e qytetarëve për kursimin e energjisë elektrike.

 

 

ka thënë Rizvanolli në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti dhe drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, lidhur me situatën energjetike në Kosovë.

 

Ajo ka thënë se më 2 nëntor është themeluar edhe Task-Forca për krizën e energjisë, e cila deri tani ka analizuar të gjitha nevojat dhe ka dorëzuar një raport me rekomandime për Qeverinë.

 

“Ne si ministri kemi bërë përpjekje që të bashkëpunojmë me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut dhe kam pasur kontakte me ta, për të parë mundësitë që ne të këmbejmë me këto dy shtet që ta kalojmë krizën. Ka qenë e vështirë se këto përballen me krizë shumë më herët se ne. KEK-u ka bërë maksimumin, Ministria e Mjedisit dhe ZRR-ja e ka trajtuar me prioritet licencimin e kapaciteteve të reja. Deri dje kemi qenë duke vepruar me parashikimet e Task-Forcës, mirëpo dje situata u përkeqësua dukshëm dhe ka qenë jashtë çdo parashikimi dhe është ndalur ngrohtorja e qytetit”, është shprehur Rizvanolli.

 

Ndërkaq, Nagip Krasniqi, drejtor i KEK-ut ka thënë se Kosova ka qymyr mjaftueshëm dhe se në këtë aspekt nuk ka pengesa.
Ai ka thënë se te termocentrali “Kosova B” kanë pasur probleme dhe kjo ka ndikuar që të ketë probleme operimi.

 

“Qymyr kemi mjaftueshëm dhe sasitë e tanishme janë rreth 420 mijë tonë në deponi. Sa i përket qymyrit nuk presim ndonjë pengesë. Tek termocentrali A, kemi futur 3 njësi në operim, duke pasur parasysh krizën. Te Kosova B kemi pasur probleme, dhe këto probleme kanë shkaktuar që të bie nga operimi, ajo që është premtuese që B 1 të kthehet nesër dhe ngrohtorja të kthehet”, ka thënë Krasniqi.

 

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka treguar se vetëm gjatë muajit nëntor dhe fillim dhjetorit, janë shpenzuar 12 milionë euro për import të energjisë sa ishin paraparë për një vit./Monitor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *