Pas rrëmbimit të tre punonjësve të policisë nga forcat speciale serbe në afërsi të kufirit, Kosova mblodhi sot Këshillin e Sigurisë.

 

Pas mbledhjes, kryeministri Kurti lajmëroi shtimin e masave për të rritur sigurinë.

 

ALBIN KURTI

 

KRYEMINISTER I KOSOVËS

 

“Si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet ndaj automjeteve që vinë nga Serbia, sidomos ato transportuese. Masat tona nuk janë ekonomike apo tregtare, por janë masa të sigurisë”

 

Për të njëjtën ngjarje, Kurti bëri përgjegjëse Serbinë, e cila sipas tij po kërkon të përshkallëzojë situatën, ndërsa iu bëri thirrje ndërkombëtarëve të rrisin presionin ndaj Beogradit.

 

“Rasti i djeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës që po lufton krimin dhe intencë për eskalim dhe destabilizim në kohën kur ne tashmë kemi propozuar planin5 pikësh për de-përshkallëzim dhe stabilizim. I bëjmë thirrje ndërkombëtarëve të bëjnë trysni mbi Beogradin dhe bëjmë thirrje për lirimin e policëve.”

 

Gjithashtu, kreu i qeverisë dha detaje për ngjarjen dhe këmbënguli se rrëmbimi i punonjësve të kufirit është bërë brenda territorit të Kosovës, ndërsa kërkoi edhe një deklarim nga KFOR.

 

“Nuk bëhet fjalë për arrestim në Serbi por për kidnapim në Kosovë, dhe nuk bëhet fjalë për kurrfarë kalimi të Policisë së Kosovës në territorin e Serbisë qysh pretendohet. Janë gjetur cizme dhe pranga plastike. Serbia nuk është që po na befason, nuk ka ndryshuar nga apetitet e saj. Ajo që po na befason është toleranca dhe heshtja e ndërkombëtarëve ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht po kërkon destabilizim”

 

I pyetur nga gazetarët, Kurti iu përgjigj letrës së shefit të diplomacisë europiane, Josep Borell, duke thënë se është i gatshëm për dialog, por pa shkelur ligjet.

 

Të gjithë ndërkombëtarëve unë iu sugjeroj që të merren sesi doli Jabllanoviçi nga fushata. Ai ka qenë fitues i sigurt, ne kemi qenë të gatshëm ta pranojmë si kryetar komune. Po të ishte Aleksandër Jabllanoviqi kryetar komune, unë njësoj me polici do ta mbroja nga sulmet e kësaj milicie fashiste atje, të këtyre ekstremistëve të dhunshëm, me të cilët kurrë nuk dua t’i barazojë qytetarët serbë. Ata janë në hall edhe më shumë se ne në hall me ta, sepse i kanë më afër”

 

Ai theksoi po ashtu se dhuna më e madhe nuk është bërë në Leposaviç, ku është kryetari, por në Zveçan edhe pse nuk ka patur kryetar në objektin e komunës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *