Kosova kërkon Ligën B! “Dardanët” gati për duelet me Islandën, problem mungesat e rëndësishme

Kosova përgatitet të luajë dy ndeshje të rëndësishme me 20 dhe 23 mars kundër Islandës, ndeshje të vlefshme për fazën play-off të Ligës së Kombeve.
Këto dy përballje ndaj rivaleve nordike do të përcaktojnë se në cilën LIGË do të luajnë këto dy ekipe në edicionin e ardhshëm, në Ligën B apo Ligën C.
Kosova u rendit e dyta në grupin C2 të Ligës së Kombeve, duke pasur tashmë një shans të mirë për të kaluar në Ligën B, nëse kalon në këto dy ndeshje kundër Islandës, e cila edicionin e fundit të Ligës së Kombeve e mbylli në vendin e tretë në Ligën B.
Dueli i parë do të luhet të enjten në mbrëmje në Prishtinë. Trajneri Franco Foda nuk ka në 100% të formës së tij dy lojtarët me eksperiencë, Amir Rrahmani dhe Valon Berisha, të cilët erdhën në grumbullime me dëmtime nga klubet e tyre dhe janë stërvitur shumë pak me pjesën tjetër të skuadrës.
Veç këtyre dy lojtarëve që janë në pikëpyetje për t’u nisur si titullarë në ndeshjen e parë, Kosova do të duhet të vuajë përballë Islandës disa mungesa me peshë si pasojë e dëmtimeve apo pezullimeve, siç janë Edon Zhegrova, Eliot Bujupi dhe Muharrem Jashari, por edhe Fisnik Asllani e Florent Hadërgjonaj.
Foda i ka zëvendësuar këta lojtarë me peshë, me emra të rinj ndër të cilët spikat Lion Abdullahu, vetëm 16 vjeç, talent i skuadrës gjermane Stuttgart Kickers, por edhe Gallapeni dhe Demaku që luajnë në Austri.
E megjithatë, edhe kundër nordikëve, dardanët do të mbështeten te emrat me eksperiencë që kanë në organikë, siç janë Fidan Aliti, Merim Vojvoda, Milot Rashica, Albin Rrahmani apo Vedat Muriqi. Ndeshja e kthimit Islandë-Kosovë do të luhet më 23 mars në Mursia të Spanjës.
/vizionplus.tv




