Kosova feston 17 vjetorin e pavarësisë. Ceremonia shtetërore nisi me ngritjen e flamurit të Republikës së Kosovës, ku morën pjesë presidentja e vendit Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti si dhe anëtarë të kabinetit qeveritar.
Krerët e shtetit kryen homazhe në monumentin e të pagjeturve, te varri i i ish presidentit Ibrahim Rugova si dhe te varri i veprimtarit Adem Demaci.
Nderimet e rastit janë bërë edhe në Prekaz në kompleksin memorial Adem Jashari si dhe për veteranët e UCK-së
Ceremonia kulmoi me parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Sot, me nderimin më të madh, kujtojmë dhe përkulemi para sakrificës sublime të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila, nën udhëheqjen e komandantit legjendar Adem Jasharit dhe mijëra luftëtarëve të lirisë, e vulosi fatin tonë me gjakun e saj. Përkulemi me respekt të thellë para familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit”, tha Vjosa Osmani.
Osmani ka falënderuar edhe shtetet mike, duke theksuar se pa mbështetjen e tyre s’do të ishte e mundur liria. Ndërkohë kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar kontributin e të gjithë brezave për shtet ndërtimin.
“Secili brez ka për detyrë, me gjithçka që dimë dhe mundemi, të shërbejmë për popullin nga i cili vijmë. Republika e Kosovës është rezultat i të gjithë atyre që luftuan dhe u përpoqën për këtë vend, nga kryengritjet e viteve 1910, 1911 dhe 1912 me Hasan Prishtinën, e deri te rreshteri Afrim Bunjaku – heroi më i ri i Kosovës”, tha Kurti.
17 vite pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova njihet sot nga 117 shtete të botës, është bërë pjesë e disa organizatave të rëndësishme ndërkombëtare dhe vijon përpjekjet për tu bërë anëtare e organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës. /vizionplus.tv