Kosova do të strehojë për dy vjet pesë gazetarë afganë, të cilët po ikin nga persekutimi në shtetin e tyre. Atyre do t’iu mundësohet që të vazhdojnë punën e tyre nga Kosova.

 

 

Qeveria e Kosovës, më 28 dhjetor, ka miratuar buxhetin prej 30 mijë eurosh për strehimin e afganëve.

 

 

“Kjo shumë mbulon shpenzimet për periudhën e mbetur të vitit 2022. Identifikimi dhe përzgjedhja e gazetarëve do të bëhet nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës”, tha zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.

 

 

Përveç buxhetit për strehimin e tyre, Qeveria miratoi edhe kërkesën për mbrojtjen e përkohshme për gazetarët afganë.

 

 

Ky është projekti i dytë që Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës po realizon për gazetarët e huaj. Strehim dhe kushte të njëjta u është ofruar edhe gazetarëve nga Ukraina, pas nisjes së pushtimit rus.

 

 

Pasi në gusht të vitit të kaluar, talibanët rimorën pushtetin, Kosova pranoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për strehimin e refugjatëve afganë, që ishin të rrezikuar nga talibanët.

 

 

Kosova ka strehuar përkohësisht 1.893 refugjatë afganë dhe më pas ata janë dërguar në SHBA dhe në shtete të tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *