Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit ka rinisur virutalisht me ndërmjetësimin e BE ndërsa takimi zyrtar i delegacioneve pritet të zhvillohet të enjten e 16 korrikut.

Pas samitit virtual të Parisit që u mbajt të premten me ndërmjetësimin e kancelares Angela Merkel, presidentit francez Emmanuel Macron si dhe përfaqësuesit e lartë të BE, edhe këtë të diel, bisedimet po mbahen përmes një video-konference.

Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josef Borrel, kërkoi angazhim politik të dyanshëm.

” BE ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë lehtësues i përpjekjeve për të arritur një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Marrëveshja është thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, po ashtu është edhe për vetë Bashkimin Europian. Ne e dimë se nuk është proces i lehtë, nuk ka qenë asnjëherë, por duhet të punojmë për të ardhmen e përbashkët. Kjo kërkon vullnet politik nga të dyja palët.”

Josef Borrel, dhe i dërguari i posaçëm për dialog Miroslav Lajçak, do të konsultohen veçmas me kryeministrin e Ksoovës, Avdullah Hoti dhe më tej me presidentin serb Alexander Vuçiç. Takimi do të mbyllet me një video konferencë të përbashkët për shtyp dhe shënon rifillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE i cili u pezullua në muajin nëntor të vitit 2018.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *