Kosova arreston 6 shtetas turq

Policia e Kosovës arrestoi mëngjesin e kësaj të enjte 6 shtetas turq, dhe pak orë më pas ata janë ekstraduar për në Turqi. Ata janë punonjës të Institucionit Arsimor “Gylistan”, në pronësi të Fethullah Gulen, rivalit politik të presidentit turk Rexhep Tayip Erdogan, që ky i fundit, e fajëson për përpjekjen e dështuar të grushtit të shteti.
Mes të arrestuarve janë dy drejtorë të Shkollës “Mehmet Akif” në Prishtinë dhe Gjakovë, një zëvendësdrejtor dhe dy arsimtarë.
Mediat turke shkruajnë se shtetasit e arrestuar janë ekstraduar menjëherë në Turqi, gjatë një operacioni të përbashkët të shërbimeve të zbulimit të të dyja vendeve.
Por, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, në një deklaratë për media tha se nuk ka qenë në dijeni të arrestimit. Edhe kreu I Kuvendit Kadri Veseli, me anë të një postimi në facebook, u shpreh se kjo nuk përfaqëson as formën e duhur të zhvillimit të sundimit të ligjit, as konsolidimit të nevojshëm të demokracisë, pasi shtetasit e arrestuar janë banorë me leje të vlefshme qëndrimi.
Turqia ka arrestuar më shumë se 50 mijë persona nën akuzat për grushtin e shtetit dy vite më parë, ku 250 persona humbën jetën, ndërsa 2 mijë të tjerë mbetën të plagosur. Ndërkohë, nxënës të institucioneve arsimore kanë nisur një protestë në qendër të Prishtinës kundër arrestimit të mësuesve të tyre.




