Kryetari i PD Sali Berisha i uroi mirëseardhjen ambasadorit të ri amerikan Eric Wendt, duke theksuar se prioritet e misionit të tij për luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, janë një ndihmë e rëndësishme për Shqipërinë. Gjatë një komunikimi në rrjetet sociale Berisha përsëriti se krimi i organizuar në Shqipëri është rrezik jo vetëm për vendin tonë por edhe për NATO-n.
“Kam bindjen se në zbatim të direktivave të qeverisë amerikane dhe presidentit Trump, të aktit të Kongresit të Shteteve të Bashkuara për rajonin, lufta për zbatimin e ligjit, kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbështetja e Shqipërisë në këto fusha do të jenë të një rëndësie shumë të madhe dhe shpresoj dhe besoj se do të jetë një përparësi dhe për qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësuesit e saj, ambasadorin në Tiranë. Unë ndaj plotësisht pikëpamjen se trafikantët e drogës janë terroristë të egër”, tha Berisha.
Korrupsioni dhe krimi i organizuar jane sipas Berishës arsyet pse qeveria e drejtuar nga kryeministri Edi Rama ka humbur legjitimitetin.
“Një qeveri që nuk lufton korrupsionin dhe një qeveri që mbron korrupsionin, pavarësisht sa vota apo si i ka marrë ato, humbet legjitimitetin e saj para qytetarëve. Përfaqëson botën e krimit, përfaqëson antiligjin dhe meriton të largohet sa më parë nga pushteti”, shtoi Berisha.
Kryetari i PD akuzoi kryeministrin Edi Rama edhe për hartën e re territoriale dhe shkrirjen e 15 bashkive. Sipas Berishës kjo hartë nuk u shërben qytetarëve por vetëm pushtetit personal të liderit të mazhorancës.
“I pangopur në politikën e përqendrimit të të gjitha pushteteve në duart e tij, të centralizimit të plotë, duke tejkaluar në disa aspekte dhe Enver Hoxhën, i pangopur në zbimin e shqiptarëve, gjenocidin e butë ndaj shqiptarëve, ai ndërmori hapin tjetër. Ku në vend që të korrigjonte gabimet katastrofale të reformës së parë, vazhdoi me shkurtimin e 15 bashkive të tjera duke ulur numrin në 46 bashki”, tha Berisha.
Kryetari i PD Berisha deklaroi se demokratët do të mbështesin çdo protestë dhe çdo inisiativë të banorëve kundër shkrirjes së 15 bashkive.





