Subscribe

Nga sekserë si taksixhinj, por edhe në rrjetet sociale. Kjo ishte rruga që dy efektivët e rrugores tashmë të arrestuar Amarildo Lika dhe Elio Picoku përdornin për të zhvatur para nga qytetarët e ndryshëm, në këmbim të kthimit të lejeve të bllokuara të drejtimit.

 

Vizion Plus ka siguruar dosjen e hetimit që tashmë është në Prokurorinë e Posaçme, ku janë faktuar të paktën 7 raste të marrjes së ryshfetit nga qytetarët në këmbim të patentave.

 

Shumat për një leje drejtimi ishin të ndryshme. Ato vendoseshin nga sekserët që qytetarët arrinin të krijonin kontakte. Për një patentë dy efektivët Lika dhe Picoku në bashkëpunim me sekserët e terrenit merrnin nga 50 mijë lekë të rinj e deri në 1500 euro.

 

Hetimet kanë nisur që në muajin dhjetor pas arrestimit të efektivit tjetër të Policisë së Tiranës Alkid Ndreu, i cili i kishte marrë një qytetareje 70 mijë lekë të rinj për patentën e saj.

 

Kjo e fundit kishte postuar në rrjetin social tik-tok ku më pas është kontaktuar nga një sekser, i cili i ka bërë të mundur lidhjen me efektivin e arrestuar Ndreu.

 

Një rast tjetër të zbardhur i përket një qytetari të cilit i kanë kerkuar 1500 euro. Ky i fundit madje kishte arritur të siguronte fillimisht 1200 euro dhe pjesën tjetër nuk e kishte. Por në përgjimet janë zbardhur edhe mesazhet e këtij të fundit me sekserin. Madje qytetari betohej se nuk kishte më para, veçse të jepte edhe shpirtin. Në këtë rast është i përfshirë edhe një taksist i cili kishte njohje me Amarildo Likën, duke marrë edhe pjesën e tij të fitimit.

 

Ndërsa një qytetar tjetër përmes sekserëve, kishte arritur që të merrte dy leje drejtimi kundrejt shumave 900 euro dhe 90 mijë lekë të rinj. Madje në komunikimet e tij zbulohen mesazhet, ku thuhet se më pak se 900 euro nuk bëhet.

 

Hetimet për tre efektivët e arrestuar vijojnë për të zbuluar nëse ka edhe efektivë të tjerë të përfshirë në këtë skemë korruptive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *