Subscribe

Covid-19 ka futur në ngërç sistemin gjyqësor. Në Vlorë, të dyja shkallët prej një jave po shqyrtojnë vetëm çështjet emergjente dhe ato të vlerësimit të masave të sigurisë pasi disa punonjës janë infektuar me koronavirus.

Por ndërsa është vendosur pezullimi i punës, dhjetëra qytetarë po përballen me mungesën e shërbimit. Të irrituar ata akuzojnë togat e zeza se po zvarritin qëllimisht çështjet duke përfituar nga situata e pandemisë.

“Vij nga Fieri kam një çështje familjare. Kam bërë kërkesë dhe për përshpejtim se jam e sëmurë vetë, mirëpo po me sorrollasin. Kam 7 vjet ndarjen, por akoma s’po më japin zgjidhjen. Më thanë për datë 19, sot prapë çështja e pezulluar nga Covid-i.”

“Sot kam ardhur se kam 1 vit e gjysmë që zvarritem për gjyqin. Sot kam seancën gjyqësore por dyert janë te mbyllura. Sigurisht për shkak te covidit por ne duhet të ushqehemi.”

“Këto vonesa për mendimin tim janë të qëllimshme. Sepse me ligj dhe me rregullore, m.q.s. njeri nga anëtarët e gjykatës sëmuret, kryetari e zëvendëson me një tjetër. Këta nuk e zbatojnë.”

Problematika pranohet edhe nga juristët, të cilët ngrenë si shqetësim shtimin e numrit të dosjeve të pashqyrtuara.

“BILBIL MASAKJ

AVOKAT

Qytetarët duhet që t’i zgjidhin problemet me pronat. Por dhe ata që janë të arrestuar duhet të gjykohen. Por problem është dhe për ne se me këtë punë sigurojmë të ardhurat tona dhe duam që të funksionojë sistemi i drejtësisë. Masat do vijojnë. Se të gjitha do dalin e do mblidhen duke zënë datat.”

E njëjta situatë paraqitet dhe në Gjykatën e Krujës. Liman Shima thotë se prej katër muajsh i kanë arrestuar djalin, por ende është në pritje të gjykimit.

“Erdha te interesohem për punën e çunit. Është mbyllur nga virusi. Këtu më shumë qejf kanë virusin që të mbyllen njëherë në 10 ditë e të na sorrollasin nëpër zyra. Nëse çuni është i fajshëm le të mbajnë nëse është e pafajshëm ta nxjerrin se na shkatërruan si familje. Unë kërkoj të drejtën time. Shpenzimet lart e poshtë. Unë jam vet i katërt vetëm unë me rrogë. Sillem këndej askush nuk më jep përgjigje, shkon avokati dhe ai s’merr përgjigje se kur do bëhet gjyqi a jo.”

Si rrjedhojë e pandemisë, deri më tani kanë pezulluar punën dhe gjykata e Durrësit si dhe ajo e Apelit në Tiranë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *