Koreja e Veriut ka testuar një tjetër raketë këtë të diel, pavarësisht shqetësimeve dhe dënimit të këtyre veprimeve nga fqinjët. Shtëpia e Bardhë njoftoi se bëhet fjalë për një raketë me rreze të mesme veprimi, e cila përshkoi 500 km dhe ra pranë detit të Japonisë. Koreja e Jugut sqaroi se testimi i fundit është kryer nga një zonë në perëndim të vendit, pak pas paralajmërimit në median shtetërore se po prodhohen armë të afta per të sulmuar SHBA-në. Një jave më parë Pheniani testoi një lloj të ri rakete me mbushje bërthamore. Këshilli i Sigurimit i ka bërë thirrje vazhdimisht Koresë së Veriut të mos kryejë teste, por deri tani këto apele janë shpërfillur prej saj.





