Një ditë pasi Koreja e Veriut testoi bombën me hidrogjen e cila shkaktoi reagimin e ashpër të liderëve botërorë, Koreja e Jugut ka nisur mëngjesin e të hënës simulimin e një sulmi të armatosur pranë zonës ku u zhvillua testi i fundit nuklear.

 

Në stërvitje Koreja e Jugut përdori municione të vërteta, ku përfshihej lëshimi i raketave balistike tokë-tokë dhe goditja e objektivave jashtë bregut lindor të Koresë së Jugut nga avionë luftarakë. Mediat vendase shkruajnë se qëllimi i simulimit është të tregojë se vendi është në gatishmëri të lartë, dhe se Koreja e Jugut ka kapacitete bërthamore.

 

Zëdhënësi i ushtrisë koreano-jugore, njoftoi se ushtria tregoi vendosmërinë e saj për të shkatërruar origjinën e provokimit dhe lidershipin e armikut nëse kërcënojnë sigurinë e qytetarëve. Një ditë pas testimit të bombës me hidrogjen të cilën lideri komunist e konsideroi si një sukses të madh, Seuli dhe Uashingtoni kanë rënë dakord rishikimin e marrëveshjeve mes dy vendeve për të dyfishuar kapacitetin e raketave balistike të Koresë se Jugut.

 

Presidenti Trump tha një ditë më parë se Koreja e Veriut ka kryer një test të madh bërthamor dhe se veprimet e tyre vazhdojnë të jenë shumë armiqësore dhe të rrezikshme për SHBA-në. Ndërsa sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis paralajmëroi se çdo kërcënim ndaj Shteteve të Bashkuara apo aleatëve të tyre, do të ketë në këmbim një përgjigje masive ushtarake. Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të mblidhet sot për të diskutuar përgjigjen ndaj testimit të bombës nukleare dhe vendosjen e sanksioneve të reja.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *