Të pastrehët e Korçës, Maliqit, Pogradecit e Devollit së shpejti do të kenë një mundësi strehimi në pallatet me kosto të ulët që pritet të ndërtohen nga Enti Kombëtar i Banesave në këto qytete.

 

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të këtij institucioni në Korçë, Ilirian Kosta thotë se të gjitha këto bashki kanë shprehur interes për ndërtimin e pallateve nga Enti në mënyrë që t’u vijnë në ndihmë qytetarëve të pastrehë.

 

Ai bën të ditur se në këtë fazë të parë është duke u kontaktuar me të gjitha bashkitë, të cilat do të venë në dispozicion të Entit truallin e ndërtimit dhe disa lehtësi të tjera, në mënyrë që kostoja e pallateve të jetë sa më e vogël.

 

Prej shumë vitesh Enti Kombëtar i Banesave nuk ka investuar për ndërtimin e pallateve në Pogradec, Devoll e Maliq, ndërkohë që tashmë ndërtimi i pallateve për të pastrehët e këtyre qyteteve është një mundësi e mirë për ta për të pasur banesën e kërkuar.

 

Këto do të jenë pallate të cilat ashtu si ka ndodhur edhe në qytetin e Korçës, u shiten të pastrehëve të interesuar, pasi ata janë përzgjedhur me vendim të Këshillave bashkiakë, vetëm me koston e ndërtimit, ç’ka është një vlerë shumë më e ulët sesa çmimet e tregut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *