Studentët e Universitetit Fan.S.Noli’ të Korçës, e kanë përshkallëzuar më tej protestën pas disa ditëve kur e ndërprenë atë dhe rifilluan proçesin mësimor. Ata kanë vendosur të ngujohen, duke kërkuar përmbushjen e kërkesave të tyre.

 

Me këtë formë proteste, studentët korçarë jo vetëm që solidarizohen me të rinjtë në Universitetet e tjera të vendit por tregojnë se nuk janë tërhequr nga kauza e tyre. Ngujimi ka nisur nga studentët e fakultetit ekonomik, të cilët u kanë bërë thirrje edhe fakulteteve të tjera ti bashkohen kësaj forme proteste. Ja edhe deklarata e plotë  e dhënë pas këtij vendimi.

 

“Ditën e sotme, datë 17.1.2019 pas mbledhjes së senatorëve të Fakultetit Ekonomik në unanimitet u mor vendimi për të filluar ngujimin. Studentët e Fakultetit Ekonomik ju bëjnë thirrje të gjithë studentëve të fakulteteve të tjera për tu bashkuar dhe për të luftuar deri në realizimin e plotë të kerkesave dhe të drejtave tona. Kauza jonë është shumë e qartë:

1- Rrëzimi i Ligjit të Arsimit të Lartë

2- Plotësimi i 17 kërkesave drejtuar Rektorit, të cilat nuk janë përmbushur edhe pse ka kaluar afati i realizimit të tyre.

Ditën e nesërme le të bashkohemi të gjithë në ngujim për të kërkuar të drejtat tona! Ne nuk gënjehemi me pak! Ne meritojme më të mirën!

Studentët e bashkuar kanë për të fituar!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *