Rreshjet intensive të shiut dhe temperaturat e ulëta për stinën kanë vonuar pjekjen e qershisë në pemëtoret e rajonit të Korçës. Kjo pranohet edhe nga vetë fermerët e Dvoranit, i cili njihet për sipërfaqet mjaft të mëdha të pemëtoreve me qershi.

 

Ata tregojnë se në këtë periudhë gjatë viteve të kaluara qershia ka qenë e pjekur dhe është nxjerrë në treg, ndërkohë që këtë vit pjekja e saj është mjaft e vonuar dhe kjo vetëm për shkak të kushteve atmosferike.

 

Sipas fermerëve megjithëse qershisë i janë bërë të gjitha shërbimet e duhura, nëse do të vijojnë ende shirat dhe temperaturat e ulëta prodhimi i tyre do të dëmtohet duke sjellë dëme të mëdha ekonomike për të gjithë kultivuesit e qershisë.

 

Dëmi që i është shkaktuar pemëtoreve me qershi në rajonin e Korçës pranohet edhe nga specialistët e bujqësisë. Anesti Stajo, specialist i mbrojtjes së bimëve shkon edhe më tej kur thotë se me këto kushte atmosferike jo vetëm që po vonohet pjekja e frutave të qershisë por edhe po ulet përqindja e sheqerit si dhe ka nisur kalbëzimi i frutave. Ai bën apel për ndërhyrje me preparate për luftimin e kalbëzimit si dhe luftimin e mizës së qershisë të cilat janë dy probleme kryesore të shkaktuara në këto kushte.

 

Fermerët e Dvoranit por edhe të të gjithë rajonit të Korçës kanë mbetur me sytë nga qielli duke shpresuar ndërprerjen e shirave dhe normalizimin e temperaturave, në të kundërt duket se ata do të humbasin jo pak nga prodhimi i qershisë për këtë vit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *