Bashkia e Korçës ka nisur ditën e sotme një aksion kundër procesionares së pishës në kodrat e qytetit. Kanë qenë rreth 100 punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike si dhe një sërë mjetesh ndihmëse të cilat janë përdorur për luftimin mekanik të procesionares duke prerë boçet me vemje dhe duke i grumbulluar për ti djegur.

 

Kryebashkiaku i Korçës Sotiraq Filo ka qenë në terren duke ndjekur nga afër aksionin duke u shprehur se me anë të kësaj pune synohet frenimi i sëmundjes së procesionares por jo zhdukja e plotë e saj, çka është e pamundur sipas tij për shkak të terrenit të thyer malor dhe lartësisë së pishave. Nga ana tjetër Filo tha se po punohet për luftimin biologjik të kësaj sëmundje nëpërmjet një bashkëpunimi mes Ministrisë së Mjedisit dhe homologes së saj në Turqi.

 

Aksioni i sotëm nuk do të jetë i vetmi, pasi bashkia ka vendosur një grup prej 20 punonjësish të cilët do të angazhohen çdo ditë në luftën ndaj procesionares, si dhe do të organizohen edhe aksione të tjera më të mëdha dëri në fund të muajit shkurt. Nga ana tjetër Filo tha se nuk do të ketë ndërhyrje mekanike në zona të tjera të Bashkisë së Korçës siç janë Vithkuqi, Voskopoja apo Qafa e Qarrit pasi është e pamundur që të luftohet mekanikisht në të gjithë këtë hapësirë.

 

Aksioni i sotëm u përqëndrua në zonën e Shetros, rrëzë malit të Moravës si dhe në zonën e varrezave të qytetit të Korçës, zona ku prania e procesionares është mjaft e lartë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *