Ndërhyn për të zgjidhur një konflikt mes dy banorëve në një lagje periferike të qytetit të Korçës, por i rrezikohet seriozisht jeta oficerit të policisë së komisariatit të qytetit juglindor.

 

Gani Xhambazi 69 vjeç, banues në ish konviktin e shkollës së ndërtimit është konfliktuar me A.H. 46 vjeç, fqinj i tij, konflikt që ka shkuar deri në dhunë fizike mes tyre. Në kushte të tilla Xhambazi ka shkuar drejt banesës së vet për të marrë një armë zjarri automatik.

 

Pas një telefonate nga ana e banorëve në sallën operative, patrulla e policisë ka shkuar në banesën e 69 vjeçarit, i cili sapo ka parë uniformat blu i ka drejtuar armën njërit prej tyre, duke tentuar të qëllonte drejt oficerit të policisë.

 

Për fatin e mirë arma i është bllokuar duke mos mundur të realizonte qitjen.

 

Policia ka mundur të ndërhyjë menjëherë duke e neutralizuar Gani Xhambazin, të cilin e kanë shoqëruar në ambjentet e komisariatit të Korçës.

 

Burimet zyrtare të policisë bëjnë me dije se 69 vjeçari është një person i njohur për policinë pasi edhe më parë ka qenë i dënuar për disa vepra penale.

 

Kësaj radhe mbi të rëndon akuza “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit”.

 

Të njëjtat burime thanë se mes fqinjëve ka pasur konflikte të herëpashershme për të ardhur deri tek sherri më i fundit ku është rrezikuar edhe jeta e punonjësit të policisë së Korçës

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *