Shërohet edhe një tjetër qytetar i Korçës i prekur nga COVID-19 duke e çuar numrin total të atyre që e kanë fituar këtë betejë në 15 persona.

Lajmi konfirmohet nga drejtori i Spitalit Rajonal Teli Ndini të Korçës, Litian Broka, i cili tha se tashmë janë vetëm 2 persona të infektuar, të cilët janë duke u trajtuar në banesat e tyre, ku edhe ndodhen të izoluar e në gjendje të stabilizuar shëndetësore.

Korça vijon me të tjera lajme të mira në këtë betejë me Sars Cov 2, pasi edhe 4 persona në të gjithë qarkun të cilët kanë shfaqur simptoma të ngjashme me koronavirusin pas marrjes së tamponit dhe bërjes së analizave në ISHP, kanë rezultuar negativë.

Burime zyrtare thonë se kanë qenë 2 qytetarë nga Korça, një nga Devolli dhe një nga Pogradeci, ndërsa Kolonja nuk ka pasur asnjë të dyshuar.

Prej 12 ditësh Korça duket e suksesshme në ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit, pasi është evidentuar vetëm një rast pozitiv, ai i oficerit të policisë kufitare, ndërsa prej 6 ditësh i gjithë qarku nuk ka shënuar asnjë rritje të numrave të pozitivëve ndaj COVID-19.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *