Subscribe

Të gjithë fëmijët e kopshtit “Pinoku” te Bregu i Lumit, do të kenë një ambient të ri dhe me të njëjtat kushte, si në qendër të Tiranës. Ky kopsht frekuentohet nga 180 fëmijë, 33 prej të cilëve vijnë nga komuniteti rom dhe egjiptian.

“Jam shumë i lumtur që kthehem fiks pas një viti në këtë komunitet. Që në vitin e parë të mandatit tonë rregulluam çerdhen këtu ngjitur, por më vjen mirë që një pjesë e fëmijëve që kanë qënë te çerdhja para një viti, sot janë te ky kopsht. Nëse do sillnim dikë me sy të mbyllur te Bregu i Lumit dhe të shikonte këtë kopsht, nuk do e kuptonte dot që ky është një kopsht në periferi, sepse është i njëjtë me një kopsht në qëndër të Tiranës. Kemi arritur në një ditë të mirë për Tiranën, ku po punojmë me të njëjtin standard e cilësi si në infrastrukturë, ashtu edhe në mësimdhënie”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se tashmë në këto institucione nuk ka diferencë mes qendrës dhe periferisë.

“E di se ky është një komunitet kryesisht informal, me fëmijë nga komuniteti rom dhe egjiptian, por besoj se në Tiranë duhet t’u japim një shans të barabartë gjithë fëmijëve. Ngjyra e lëkurës nuk duhet të jetë arsye për të qenë pengesë që një fëmijë të jetë i suksesshëm. Kjo është Tirana që ëndërroj unë dhe besoj se ky është edhe vizioni juaj dhe i të gjithë edukatoreve që punojnë në çerdhe e kopshte”.

Në këtë kopsht janë bërë ndërhyrje në të 6 tualetet, si dhe janë vendosur nga fillimi pothuajse të gjitha pajisjet hidrosanitare. Ndërkohë është ndërhyrë edhe në dhomat ku mësojnë dhe qëndrojnë fëmijët, si dhe është bërë sistemimi i jashtëm i të gjithë perimetrit të kopshtit.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *