Subscribe

Gjashtë anëtarë të MEK janë proceduar penalisht nga policia një ditë pas kontrollit të efektivëve të RENEA, FNSH dhe forcave të tjera të policisë në kampin e Manzës në Durrës. Ata janë vënë  nën hetim për 4 vepra penale: shkatërrim prone për dhunimin e mjeteve të policisë, mos bindje e urdhrit të policisë, kundërshtim i vendimit të gjykatës dhe goditje për shkak të detyrës.

 

Paraditen e së martës banorët e kampit kundërshtuan në bllok forcat e policisë, të cilët me një urdhër gjykate shkuan për të kontrolluar të gjitha ambientet e brendshme, pas hetimeve të SPAK për terrorizëm dhe sulme kibernetike.

 

Autoritetet shqiptare ishin në kërkim të pajisjeve teknologjike, të cilat konsiderohen me vlerë për hetimet, që prej kohësh ka nisur SPAK  dhe në fund të kontrollit që zgjati 4 orë policia sekuestroi shumë kompjuterë, telefona, dronë etj., që dyshohet se mund të jenë përdorur për veprimtari të paligjshme.

 

Nga ana e prokurorisë, ndërkohë, vijon hetimi lidhur me pretendimet e muxhahedinëve për dhunë nga ana e policisë, e gjithashtu po hetohet edhe për pretendimet e policisë për dhunë të ushtruar ndaj uniformave blu. Ndërkohe po analizohen pamjet filmike të bëra nga dy palët, policia dhe muxhahedinët.

 

Mbi bazë të tyre pritet të identifikohen personat përgjegjës për dhunën dhe nëse provohet, pritet të firmosen edhe urdhërarrestet. Ndërkohë sot situata në kamp paraqitet e qetë dhe nuk ka prezencë të efektivëve të policisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *