Policia Rrugore e Tiranës ka vijuar monitorimet në akset kryesore rrugore, si dhe në pikat hyrëse dhe dalëse të qytetit, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut. Kontrollet janë përqendruar veçanërisht te shpejtësia, drejtimi i automjetit nën efektin e alkoolit dhe shkeljet e tjera që përbëjnë rrezik për sigurinë rrugore.
Gjatë javës së fundit, për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, janë arrestuar ose proceduar 55 shtetas. Ndërkohë, janë vendosur gjithsej 11 420 masa administrative, ndërsa 71 automjete janë spostuar me mjet ngritës.
Nga kontrollet janë vendosur 750 masa për tejkalim të shpejtësisë mbi normat e lejuara, 707 për parakalime të gabuara, 309 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit dhe 353 për mosvendosjen e rripit të sigurimit. Gjithashtu, janë vendosur 36 masa për përdorim të alkoolit dhe 98 për mangësi në dokumentacion.
Policia ka marrë masa edhe ndaj drejtuesve të motomjeteve, me 1369 masa për mospërdorim të kaskës mbrojtëse ose jelekut fosforeshent dhe 256 masa për qarkullimin në korsitë e biçikletave. Janë konstatuar gjithashtu 411 raste të mosdhënies së përparësisë këmbësorëve dhe 56 raste të mosrregullimit të shpejtësisë apo manovrave të gabuara në qendrat e banuara.
Policia Rrugore e Tiranës u bën apel drejtuesve të mjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit, duke theksuar se zbatimi i tyre është thelbësor për parandalimin e aksidenteve, mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të përdoruesve të rrugës, si dhe për garantimin e një qarkullimi të lirë dhe të sigurt.
/vizionplus.tv





