Subscribe

Qeveria ka vendosur ngritjen e Task Forcës, e cila do të monitorojë administratën shtetërore dhe përdorimin e burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike gjatë procesit zgjedhor. Në rast se do të gjenden shkelje, vendimi përcakton masa ndëshkuese. Punonjësi i administratës shtetërore, pas orarit zyrtar të punës dhe jashtë mjediseve të institucioneve shtetërore, ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike apo zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.

 

“Punonjësi i administratës shtetërore, pas orarit zyrtar të punës dhe jashtë mjediseve të institucioneve shtetërore, ka të drejtë të marrë pjesë në veprimtari politike apo zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje. Punonjësi i administratës shtetërore ka të drejtë të angazhohet si komisioner zgjedhor, në përbërje të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, pasi të ketë njoftuar paraprakisht me shkrim eprorin direkt dhe njësinë e personelit për këtë veprimtari dhe të ketë marrë lejen me shkrim nga eprori direkt. Angazhimi si komisioner nuk duhet të ndikojë në përmbushjen e detyrave funksionale si pjesë e shërbimit civil. Punonjësit të administratës shtetërore, gjatë orarit zyrtar të punës dhe brenda mjediseve të institucioneve shtetërore, i ndalohet çdolloj pjesëmarrjeje në veprimtari politike apo fushatë zgjedhore të një partie politike ose kandidati në zgjedhje.”

 

Vendimi ndalon pjesëmarrjen në fushatë tw punonjësve të Gardës, Shërbimit Informativ Shtetëror, Forcave të Armatosura dhe Policisë së Shtetit. Por saktësohet se strukturat e Policisë kur konstatojnë përdorimin e automjeteve shtetërore për veprimtari të fushatës zgjedhore, bëjnë bllokimin e tyre dhe menjëherë njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe titullarin e institucionit në përdorim të të cilit është automjeti. Vendimi ngarkon me detyrë titullarët e institucioneve të kontrollojnë veprimtarinë e nëpunësve. Po ashtu, sqarohen dhe hapësirat si dhe pengesat për procedura të prokurimeve publike.

 

“Titullarët e ministrive dhe/ose drejtuesit e institucioneve të varësisë, sipas vendimit  ose personat e ngarkuar prej tyre marrin masa për të iniciuar procedura të reja prokurimi publik, koncesioni apo partneritet publik-privat, nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi deri në përfundimin e fushatës zgjedhore, me përjashtim të rastit të procedurave urgjente dhe të domosdoshme për funksionimin e institucionit, të cilat vlerësohen dhe miratohen rast pas rasti për të gjitha institucionet e varësisë nga ministri përgjegjës i fushës, pas miratimit paraprak nga Kryeministri”.

 

Task Forca, do drejtohet nga Zëvendëskryeministri teknik, ku në përbërje ka edhe ministrat teknikë të propozuar nga PD, si dhe do bëjë raportime periodike mbi aktivitetin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *